Ҫelet ekspozita e fotografisё sociale nё galerinё “Gocat” – “Fondacioni Mane” mbёshtet komunitetin e artistёve
Saimira Dako/ SCAN
Galeria e re e artit bashkëkohor në Tiranë, krijuar nga Fondacioni Mane, është tashmë një destinacion i rëndësishëm për artistët dhe ata që janë të apasionuar pas artit vizual. Dje, në një ceremoni festive me shumë të ftuar, u çel ekspozita “Poezi Vizuale mbi Fotografinë Sociale”, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 10 tetor.
Vizitorët do të shqyrtojnë përmes imazheve dokumentuese nga Shqipëria, rajoni dhe më gjerë, forcën dhe qëndresën e individëve përballë pabarazive dhe padrejtësive shoqërore. Paul Lowe, fotografi britanik i cili sjell një seri fotografish nga Rrethimi i Sarajevës, e cilëson ekspozitën si një mundësi për reflektim dhe mësim nga e kaluara.
Ekspozita shpalos gjithashtu punë të profesionistëve të huaj të fushës së fotografisë, si Fabrizio Bellomo, Seamus Murphy & P.J. Harvey, por edhe punë të fotografëve të talentuar shqiptarë, si Burim Myftiu dhe Bevis Fusha.
“GOCAT”, kjo shtëpi e ekspozitës, dhurata e Fondacionit Mane për komunitetin artistik të kryeqytetit, ofron një hapësirë moderne dhe pa pagesë për të gjithë artistët dhe vizitorët.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.