2022, vit i keq për inflacionin, “shkëlqyen” Leku e Bonot – Çfarë ndodhi në tregun financiar shqiptar gjatë këtij viti, dhe ç’presim nga 2023
Çmimet e inflacioni kanë qenë shqetësimi i madh për tregun financiar shqiptar përgjatë vitit 2022, ndërkohë që pozitive mund të përkufizohet ecuria e kredisë, e depozitave, e veçanësisht e bonove të thesarit, të cilat i janë kthyer normave të interesave të harruara prej thuajse një 10 vjeçari. Në një kohë që mund të thuhet me plot gojën se ka shkëlqyer monedha jonë kombëtare, e cila përgjatë gjithë këtij viti është mbiçmuar në nivele rekord në raport me monedhën e përbashkët evropiane. Në një prej daljeve të tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë e përkufizoi këtë tëndencë mbiçmuese të lekut si shenjë besimi të qytetarëve ndaj monedhës tonë, si shenjë besimi ndaj sistemit bankar, sistemit financiar, ashtu si dhe ndaj ekonomisë. Sejkoi nënvizoi se forcimi i i lekut ndaj euros mbrojti edhe shqiptarët nga inflacioni, i cili në vendin tonë mbeti nën nivelet e rajonit e më gjerë.
Mbiçmimi i lekut, zbuti krizën për shqiptarët
Mbiçmimi i lekut kundrejt euros, i nisur që prej fundit të muajit prill të këtij viti, kulmoi në tremujorin e tretë; kursi eur/lek rezultoi mesatarisht 117.1 lekë/euro, nga 120.4 lekë/euro që ishte në tremujorin e dytë të vitit dhe 121.9 lekë/euro në tremujorin e parë të tij. Në tre javët e para të muajit tetor, kursi eur/lek është luhatur pranë nivelit mesatar të muajve shtator dhe gusht, me një mbiçmim vjetor të lekut prej 3.9%.
Nënçmimi i euros në tregun shqiptar u thellua edhe më tej në fund të vitit për shkak të efektit sezonal. Ajo ra për herë të parë në datën 20 dhjetor nën kuotën mesatare te këmbimit prej 114 lekësh, ku vijoi të mbetet edhe për tre ditët në vijim, megjithë një ngritje të lehtë në datat 22 dhe 23. Në këtë mënyrë euro në Shqipëri nuk reagoi si në tregjet evropiane, ku tashmë ajo nisi të rritej me ritme të qëndrueshme. Javët e fundit të dhjetorit monedha e përbashkët shënoi rritje më raport me dollarin pas ndërhyrjes së Bankës Qendrore Evropiane, e cila më në fund vendosi të ndërhyjë me rritjen e normës bazë të interesit si masë për ndalimin e inflacionit në Eurozonë. Dhe ishin pikërisht këto dy faktorë që shkaktuan dramën e monedhës së përbashkët evropiane përgjatë vitit, inflacioni dhe veprimet e rezervës Federale amerikane. Ndërkaq, Indeksi i Blerjes së Menaxherëve për dhjetorin tregon frenim të rënies së aktivitetit ekonomik në eurozonë, duke sugjeruar se inflacioni në BE mund të jetë më pak i ashpër nga ç’pritej. Agjentët e këmbimit valutor të pyetur nga Scan Televizion e lidhin këtë mbiçmim më së shumti me faktorë të brendshëm sesa të jashtëm, ku dominues është ai sezonal. Sipas tyre, për një seri faktorësh, në treg ka sasi të konsiderueshme valutash, veçanërisht të monedhës së përbashkët europiane. Ndërkohë që ndikim të dorës së parë në këtë mbiçmim të lekut ka pasur situata e reshjeve. Për shkak të rritjes së prodhimit vendas, KESH nuk ka pasur nevojë të sigurojë sasi të konsiderueshme eurosh në tregun e brendshëm.
Fitues nga mbiçmimi i lekut është çdo individ a biznes që të ardhurat i ka në lekë, e huatë në euro. Portofoli i kredive sipas monedhës, për vitin 2021, evidenton se kredia në
Valutë vijon të ketë peshën më të madhe në totalin e kredisë në vend me 51.1%. Duke qenë se pjesa dërrmuese e këtyre kredive janë dhënë në euro, një numër i konsiderueshëm qytetarësh e biznesesh po paguajnë këste më të ulëta me nënçimin e saj. Përfitues të drejtpërdrejtë janë edhe bizneset importuese, të cilat mund të blejnë më shumë mallra në BE me nënçmimin e monedhës së përbashkët. Përfitues janë edhe personat që marrin shërbimet shëndetësore në Euro, ashtu si dhe të rinjtë që studiojnë jashtë kufijve e që pagesat i bëjnë në monedhën e përbashkët evropiane. Ndërkohë që përfituesja e madhe është Qeveria. Duke parë se rreth 70% e borxhit të jashtëm prej 9.8 miliardë eurosh është pikërisht në monedhën e përbashkët evropiane, ajo do gëzojë kushte më të lehta të shërbimit të borxhit publik.
Largimi dhe rikthimi te euro
Në gjashtë muajt e parë të vitit, aktorët shqiptarë ulën masivisht ekspozimin ndaj riskut të kursit të këmbimi që bartte me vete monedha e përbashkët evropiane.
Banka e Shqipërisë raportoi se kreditë në euro, për gjysmën e parë të këtij kanë rënë në nivelin më të ulët të shënuar që prej vitit 2011, madje u ulën ndjeshëm nën kufirin rregullator. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, stoku i kredisë së pambrojtur në valutë zbriti me 4.8 mld lekë ose 3.8%, në nivelin 123 mld lekë, me i ulëti i regjistruar që prej vitit 2011. Teprica e kredisë së pambrojtur në valutë ka rënë gjatë periudhës me 3.8%, dhe në terma vjetorë me 4.6%.
Kontributin kryesor në këtë ecuri e dhënë rëniet në kredinë e pambrojtur në valutë për bizneset, kryesisht në sektorin e tregtisë, dhe në monedhën euro. Ndërkohë që nuk ka ndodhur i njëjti fenomen me individët. Ndërsa, kredia e pambrojtur në valutë për individët, e orientuar kryesisht drejt blerjes së pasurive të paluajtshme, ka njohur rritje gjatë kësaj periudhe.
Peshën kryesore të kredisë së pambrojtur (61%) e zë kredia për bizneset, e cila gjatë periudhës u pakësua me 8%, për shkak të tkurrjes së portofolit të kredive të rregullta në euro. Sipas sektorëve, peshën kryesore në këtë kredi e zë “pasuria e paluajtshme” me 57%, e ndjekur nga “tregtia” me 23%. Në tërësi, kjo ecuri tregon një rënie të ekspozimit të sektorit bankar ndaj efektit të tërthortë të kursit të këmbimit, duke kontribuuar pozitivisht në qëndrueshmërinë e tij.
Por situata ndryshoi rrënjësiht gjatë tremujorit të tretë të vitit. Zhvillimet në portofolin e kredisë gjatë tremujorit të tretë tregojnë një rritje më të shpejtë të kredisë në valutë (19% vmv) dhe norma më të përmbajtura rritjeje të kredisë në lekë (9.5%). Zgjerimi i kredisë në valutë reflektoi një mbështetje më të madhe të bizneseve me nevoja likuiditeti. Në total, kredia për biznese shfaqi një normë vjetore rritjeje prej 12.8% ose 1.5 p.p më shumë se në muajin qershor. Bizneset e mesme kanë marrë më së shumti financim në monedhë të huaj për të mbuluar nevojat e tyre për likuiditete. Kjo është reflektuar në përshpejtimin e normave të rritjes së kredisë në valutë të bizneseve në rreth 19%. Ndërsa dobësimi i kredisë në lekë (5.3%) ka reflektuar si mungesën e kreditimit në lekë të korporatave – fenomen i cili zgjati për periudhën e pandemisë – ashtu edhe dobësimin e kreditimit nga biznesi i vogël.
Normat e interesit për kreditë në lekë për biznese janë rritur në tremujorin e tretë të vitit, ndërsa për ato në euro ndryshimi ka qenë margjinal. Interesat e kredisë në lekë kanë reflektuar rritjet e normës bazë dhe përcjelljen e shpejtë të saj tek segmentet e tregut, si ai i bonove të thesarit. Interesat e kredisë në euro janë luhatur në nivele të ulëta në pjesën më të madhe të vitit, duke regjistruar rritje të fortë vetëm në muajin shtator. Rritja e interesit tek kreditë në lekë ka qenë e përmbajtur tek kreditë e mëdha, ndërkohë që interesi i kredive të vogla, në lekë dhe në euro, ka shënuar rritje gjatë këtij tremujori.
Norma mesatare e interesit për kreditë në lekë për biznese në tremujorin e tretë rezultoi 6.2%, nga 5.5% që ishte në tremujorin e kaluar. Rritja e interesit këtë tremujor ka prekur të dyja kategoritë e kredive, ku veçanërisht interesi për kreditë me shuma deri 35 mln lekë ka regjistruar rritje të vazhduar prej fillimit të vitit. Interesi mesatar për këto kredi shënoi 6.9%, nga 6.2% dhe 6.0% që ishte në tremujorët paraardhës. Aktualisht, kjo është edhe kategoria ku rritja e normës bazë është transmetuar më shpejt, duke qenë se kushtet për këto kredi janë më të standardizuara dhe fuqia negociuese e bizneseve është e kufizuar.
Ndërkq, normat e interesit për kreditë në euro të bizneseve rezultuan 4.8% në tremujorin e tretë, nga 4.3% dhe 4.9% në dy tremujorët paraardhës. Ndryshe nga kredia në lekë, interesi i kredisë në euro vijon të luhatet në vlera të ulëta gjatë këtij viti. Rritja e normës bazë për euron nga ana e BQE-së në muajin korrik akoma nuk ka pasur reflektim të fortë tek interesat e kredisë në euro për bizneset.
Shkelqen kredia hipotekore për individë, por frenohet konsumatorja
Kredia për individë ka mbetur me ritme të larta përgjatë gjithë vitit, pavarësisht pritshmërive, ndërkohë që duhej pritur vjeshta për të parë disa sinjale të ngadalësimit të saj. Edhe në tremujorin e tretë, zgjerimi i portofolit në kredi për banesa ka dominuar financimin e individëve nga bankat.
Rritja vjetore e portofolit prej 15.8% vijon të jetë në nivelet maksimale të saj për një periudhë 10-vjeçare. Zgjerimi i shpejtë i kredisë për individë është mbështetur nga kredia për blerje banese, e cila shënoi një normë rritjeje prej 17.7%, në linjë me trajektoren përmirësuese të nisur dy vite më parë. Rritja e çmimeve të banesave, tendenca e individëve për blerjen e tyre për investim dhe produktet favorizuese që bankat ofrojnë për financim, janë faktorët kryesorë që mbështesin këtë ecuri.
Kjo tendencë pozitive është reflektuar në rritjen e peshës që kredia hipotekare zë ndaj totalit të portofolit, në 76.6%, ose 1.1 pp më shumë se në fund të vitit 2021. Megjithatë, flukset tremujore të kredisë hipotekare ishin rreth 35% më të ulëta se një tremujor më parë, po kështu në ngadalësim ishte edhe kredia e re e disbursuar për këtë qëllim – këto sinjalizojnë për ngadalësim të kërkesës për kredi hipotekare. Kjo ecuri është konfirmuar edhe nga bankat, të cilat evidentojnë rritjen e shpejtë të normave të interesit, koston e shërbimit të kredisë, shtrëngimin e përgjithshëm të kushteve të kreditimit, si dhe pritshmëritë për përkeqësimin e të ardhurave dhe aftësisë paguese, veçanërisht për individët me të ardhura më të ulëta.
Portofoli i kredisë konsumatore ka shfaqur një rritje të moderuar rreth 9% – në nivele të ngjashme me pjesën e parë të vitit. Kjo ecuri ka reflektuar si rënien e kërkesës për zgjerim të financimit për qëllime konsumi ashtu edhe shtrëngimin e kushteve të ofertës çmim dhe joçmim. Kjo ecuri reflekton edhe natyrën e këtij produkti, që karakterizohet kryesisht nga kreditë e pakolaterizuara. Ky është segmenti i parë që reflektoi rritjen e normave, pasigurinë e shtuar, si dhe tolerancën më të ulët të bankave për të marrë më shumë rrezik.
Normat e interesit për kreditë në lekë të individëve janë rritur më tej në tremujorin e tretë. Ashtu si tek kreditë e bizneseve, rritja e tyre reflekton jo vetëm rritjen e normës bazë, por edhe rritjen e yield-it të bonos 12-mujore, e përdorur gjerësisht në indeksimin e kredive ndaj kësaj kategorie. Interesat e kredisë për individët në tremujorin e tretë janë rritur, si tek kreditë hipotekare ashtu edhe për kreditë konsumatore.
Interesi mesatar i kredisë për individë është rritur për të tretin tremujor radhazi. Ai rezultoi 7.6% në tremujorin e tretë, nga 6.8% dhe 6.5% që ishte mesatarisht në dy tremujorët paraardhës. Nëse në tremujorin e mëparshëm rritja e interesave ishte margjinale, ky tremujor shënoi rritje të theksuar të interesave, si për kredinë konsumatorë ashtu dhe për atë për blerje banese. Rritja më e spikatur në këtë tremujor ishte te kreditë konsumatorë, ku interesi i tyre rezultoi 10.1%, nga 9.2% që ishte mesatarisht në gjysmën e parë të vitit. Interesat e kredisë hipotekare ndërkohë u rritën në 4.5%, nga 3.8% i pjesës së parë të vitit dhe i vitit të kaluar. Ndryshimet e fundit të normës bazë dhe tejçimi i fortë tek yield-et e bonos 12-mujore (që përdoret si normë referencë) kanë ndikuar në rritjen e interesave për këtë kategori në muajt e fundit. Analiza sipas periudhës së fiksimit fillestar të normës së interesit1 evidenton rritje më të fortë të interesave në kategorinë e kredive me fiksim fillestar mbi një vit. Pesha e kësaj kategorie te individët është më e lartë se te bizneset, ndaj edhe përçimi i ndryshimit të normës bazë dhe i pritjeve manifestohet më i shpejtë këtu.
Ndërkaq, nteresi mesatar i kredisë së re në euro për individët, në tremujorin e tretë, shënoi 3.6%, duke mbetur thuajse i pandryshuar nga nivelet mesatare të tremujorëve të mëparshëm (3.7% dhe 3.8% respektivisht). Interesat e kredisë tek kjo kategori udhëhiqen kryesisht nga kreditë hipotekare, të cilat kanë shënuar ulje të lehtë edhe në këtë tremujor (3.3%, nga 3.4% dhe 3.6% që ishte në dy tremujorët e parë të vitit). Gjithsesi, dinamika mujore tregon një rritje të fortë në muajin shtator, duke shënuar 3.9%, nga 3.4% që ka qenë mesatarja e dy viteve të fundit. Interesat e kredisë në euro, në muajin shtator, duken të kenë filluar reflektimin e ndryshimit të normës bazë për euron nga ana BQE-së. Në terma mesatarë, diferenca midis interesit të kredisë hipotekare në lekë dhe asaj në euro është rritur gjatë këtij tremujori, si rrjedhojë e ecurisë në drejtim të ndryshëm të interesave për këto kredi.
Kushtet e termat e kreditimit në kreditë e reja akorduar individëve janë shtrënguar për herë të parë mbas dy vjetëve. Bankat ngushtuan korridorin e tolerancës ndaj rrezikut në kreditimin e individëve në tremujorin e tretë, nën dritën e pasigurive të shtuara dhe kushteve makroekonomike e financiare. Miratimi i kredive të reja për individët në këtë tremujor u bazua në praktika më të kujdesshme vlerësimi nga ana e bankave, të cilat u reflektuan në standarde, kushte e terma të shtrënguar kreditimi. përqasja më konservatore e bankave në kreditim u shpreh në miratimin e kredive për individët në madhësi më të ulëta sesa ato të kërkuara, si edhe në shtimin e kërkesave për kolateral në raport me kredinë e marrë.
Depozitat
Ndërkaq, depozitat kanë shfaqur qëndrueshmëri në ritmet e rritjes ku rritja më e lartë e depozitave në valutë ka kompensuar ngadalësimin e atyre në lekë. Depozitat në total u rritën me 10%, po aq sa edhe në tremujorin e dytë. Ngadalësimi i normave të rritjes së depozitave në lekë është balancuar nga rritja më e fortë që kanë shfaqur depozitat në valutë. Kështu, depozitat në lekë u tkurrën lehtësisht gjatë tremujorit, duke shënuar një normë rritjeje vjetore prej 3.2%, ndërkohë që rritja vjetore e depozitave në valutë ishte 16.5%. Fluksi tremujor i këtyre depozitave – veçanërisht në muajin gusht – ishte i fortë, i mbështetur më së shumti nga rritja e depozitave të individëve në valutë. Kjo rritje është në linjë me sjelljen sezonale të tyre në këtë periudhë të vitit, karakterizuar nga flukse hyrëse të larta valutore, si dhe nga një zhvendosje e mbajtjes së kursimeve të individëve në llogari bankare.
Ndërkohë, prej më shumë se një viti, vihet re tendenca e individëve për të vendosur kursimet në depozita me afat mbi dy vjet, në kërkim të kthimeve më të larta. Të dhënat tregojnë se rritja e kontributit të depozitave me afat po kompenson kontributin më të pakët që japin depozitat pa afat në rritjen totale. Rritja e normave të interesit në vend dhe jashtë duket se mbështet këtë zhvendosje të preferencës për të mbajtur kursimet nga depozita likuide në depozita me maturitete më afatgjata. Tendenca pritet të forcohet edhe më tej, në pritje të reflektimit të plotë të rritjeve të njëpasnjëshme të normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë. Në muajin dhjetor, bankat tregtare kanë ofruar paketa depozitash me norma interesi 6.5 apo deri 7%, të kushtëzuara edhe nga yieldet e letrave me vlerë të qeverisë, të cilat në fund të vitit u ngjitën në thiasje 6%.
Bonot e thesarit
Yield-et e letrave me vlerë të qeverisë janë rritur më tej në tremujorin e tretë të vitit, duke forcuar tendencën rritëse të shënuar që prej muajve të verës. Ecuria e tyre ka reflektuar rritjen e normës bazë, si edhe pritjet e agjentëve të tregut për forcën dhe ritmin e normalizimit të politikës monetare në të ardhmen e afërt. Ndryshimet e fundit të normës bazë, konteksti aktual i shënjuar nga inflacion i lartë, si dhe pritjet e tregut për reagimin e mëtejshëm të politikës monetare, duken t’i kenë orientuar bankat në kërkimin e yield-eve të larta. Këto zhvillime janë reflektuar edhe tek oferta në ankande, e cila ka treguar shenja kujdesi dhe një preferencë për afate të shkurtra maturimi.
Prej fillimit të normalizimit të politikës monetare, diferencat e yield-it të letrave me vlerë të qeverisë ndaj normës bazë kanë ardhur duke u zgjeruar. Bonoja 12-mujore, e përdorur gjerësisht si parametër në çmimin e titujve afatgjatë, ka shënuar 5.26% në ankandin e fundit në muajin tetor, nga 2.84% që shënonte në muajin korrik. Rritje të ngjashme kanë shënuar edhe yield-et e obligacioneve. Ato arritën vlerën maksimale në fund të nëntorit për të shënuar një rënie të rënie të lehtë ditët e fundit të vitit.
Pas një rritje të pandërprerë që nga vera e këtij viti, për herë të dytë bonot e thesarit me maturim 12 mujor kanë shënuar rënie të normave të interesit në muajin djjetor. Në ankandin e datës 27 dhjetor, bonot 1-vjeçare u shitën me normë mesatare interesi 5.47% rënie e ndjeshme krahasuar me atë të fundit të nëntorit, kur norma mesatare ishte 5.8%. Në ankandin e mesit të nëntorit bonot e thesarit shënuan edhe vlerën më të lartë prej 5.83%. Bie në sy edhe se Qeveria nuk ka marrë dot më 27 dhjetor gjithë sasinë e borxhit që ka kërkuar. Shuma e kërkuar ka qenë 16.3 miliardë lekë, afërisht 160 milionë dollarë, nga e cila është pranuar prej investitorëve shumë prej 10 miliardë lekësh apo afërisht 100 milionë dollarësh.
Që nga vera e këtij viti, norma e fitimit që forojnë letrat me vlerë për investirorët është dyfishuar. Kujtojmë që në verën e këtij viti bonot e thesarit me maurim 1 vjeçar shiteshin me normën mesatare të ponderuar 2.84%, ndërkohë që praktikisht yeldet janë rritur me më shumë se dyfish.
Kjo solli ndryshimin e sjelljes për të gjitha aktorët e tregut. Në ankandet e fundit kemi pasur prezencë të fortë të bankave veçanërisht në tregun e bonove të thesarit me afat maturimi 12-mujor, ndërkohë që është ulur prania e individëve. Për t’u sjellë në vëmendje është se Banka e Shqipëria rihapi së fundmi edhe sportelet e bonove të thesarit, ku u mundësohet individëve kryerja e veprimeve me instrumentat e borxhit qeveritar.
Ndërsa bankat u qëndruan më së shumti larg letrave me vlerë për gjithë gjysmën e parë të vitit, ato tashmë kanë ndryshuar tërësisht sjellje duke shtuar me rreth 130 milionë dollarë investimet, ndërkohë që e kundërta ka ndodhur me individët, të cilët kanë ulur praninë në këtë treg. Sjellje ka ndryshuar edhe qeveria, e cila shtoi ndjeshëm huamarrjen gjatë tremujorit të tretë, në një kohë që gjatë dy tremujorëve të mëparshëm nuk arrinte të plotësonte dot shumat e kërkuara.
Huamarrja neto në tregun e brendshëm të titujve u shtua me 7 miliardë lekë në tremujorin e tretë. Kjo shtesë u formua tërësisht nga emetimi i instrumenteve deri në një vit, të cilat kompensuan edhe pakësimin me 4 miliardë lekë të portofolit në tituj afatgjatë. Në fund të shtatorit, huamarrja neto në tregun e brendshëm rezultoi rreth 4 miliardë lekë, nga 33 miliardë e planifikuar në total për vitin 2022. Mosplotësimi i shumave të shpallura për emetim kryesisht gjatë gjysmës së parë të vitit, ka spostuar në gjysmën e dytë një shumë relativisht të lartë të financimit të brendshëm të deficitit.
Bankat kanë shtuar pjesëmarrjen në ankandet e titujve të qeverisë, me rreth 13 miliardë lekë në tremujorin e tretë, pas stepjes që ato shfaqën në fund të tremujorit të parë e pjesërisht në tremujorin e dytë. Politikat e investimit në tituj qeveritarë janë orientuar drejt instrumenteve afatshkurtra, duke sjellë një përshtatje të strategjisë së huamarrjes së qeverisë me preferencat e bankave tregtare. Individët, nga ana tjetër, janë tërhequr nga investimet në tituj qeveritarë gjatë këtij tremujori, duke kanalizuar pjesërisht kursimet e tyre drejt depozitave në sistem bankar. Institucionet e tjera financiare jobanka vijojnë ta vlerësojnë tërheqës investimin në tituj qeveritarë, duke shtuar edhe më tej ekspozimet e tyre ndaj letrave me vlerë të qeverisë.
Inflacioni në vlera rekord, rënie e lehtë në nëntor
Inflacioni arriti kulmin në tetor në vlerën 8.3%, për të shënuar një ulje të lehtë në nëntor. Por çfarë ka ndodhur përgjatë vitit dhe kur parashikohet rënia e tij. Inflacioni mesatar vjetor rezultoi në vlerën 7.9% në tremujorin e tretë të vitit. Përshkallëzimi i krizës në Ukrainë intensifikoi rritjen e çmimeve të energjisë, të lëndëve të para dhe të ushqimeve bazë në tregun ndërkombëtar, duke u përçuar drejtpërdrejt dhe tërthorazi nga kostot e shtuara tek çmimet e konsumit. Rritja e pritjeve të agjentëve ekonomikë për inflacionin ka krijuar një ambient me presione të larta drejt pagave. Zhvillimet e mësipërme janë pasqyruar në vlera të larta historike të inflacionit bazë dhe të brendshëm.
Profili inflacionist në vend është i ngjashëm me atë të ekonomive të rajonit dhe të BE-së. Trajektorja më e ulët e tij në ekonominë tonë nga gjysma e dytë e vitit të kaluar, shpjegohet kryesisht nga diferencat strukturore në konsum ndërmjet vendeve dhe mbajtja e pandryshuar e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë. Gjithashtu, oferta e shtuar e prodhimit vendas për ushqimet e papërpunuara dhe forcimi i kursit të këmbimit vlerësohen të kenë zbutur lehtësisht presionet e huaja inflacioniste.
Inflacioni vjetor vijoi të përcaktohet në mënyrë të konsiderueshme (rreth 45%) nga kategoria “Ushqime të përpunuara”. Rritja e çmimeve në këtë
kategori zgjeroi kontributin përkatës me rreth 0.5 pikë përqindje krahasuar me atë të tremujorit të dytë. Gjithashtu, kategoria e “Ushqimeve të papërpunuara” dha kontribut më të lartë se një tremujor më parë në formimin e inflacionit total.
Kontribute më të qenësishme në rritje dhanë nëngrupet “mish” dhe “fruta”, ndërkohë që nëngrupi “perime” demonstroi prirje rënëse të kontributeve, duke lehtësuar presionet e forta që vijnë nga mallrat ushqimore të importuara të kësaj kategorie. Kategoria e “Mallrave joushqimore”, ku bëjnë pjesë dhe mallrat energjetike si nafta, nënproduktet e saj dhe gazi, vijon të ruajë një kontribut të lartë pozitiv në inflacionin total. Megjithatë, ky kontribut u ngadalësua krahasuar me një tremujor më parë, për shkak të rritjeve më të përmbajtura të çmimeve të lëndëve të para energjetike në tregjet ndërkombëtare.
Komponentët e tjerë më të qëndrueshëm të inflacionit, ku përfshihen shërbime, strehim dhe mallra konsumi afatgjatë, përjetuan gjithashtu rritje të kontributeve në formimin e inflacionit. Në veçanti, shënohen rritje të kontributeve nga shërbimet, e kryesisht ato të lidhura me aktivitetin e shtuar të turizmit në vend, ku veçohen çmimet e paketave turistike, shërbimeve të transportit, hoteleve, restoranteve dhe bareve.
Përshpejtimi i inflacionit u drejtua nga kontributet e shtuara jo vetëm të ushqimeve, por edhe të shërbimeve dhe të mallrave me afat të gjatë përdorimi.
Ndërkaq, sa i përket inflaciont të importuar, Presionet e huaja inflacioniste mbetën të larta gjatë tremujorit të tretë të vitit 2022, por intensiteti i tyre paraqitet i ngadalësuar krahasuar me tremujorin e dytë të vitit. mëparshëm. Ngadalësimi ka ardhur nga moderimi i lehtë i rritjes së çmimeve të huaja (31.1%). Kontribut në zbutjen e presioneve të huaja inflacioniste ka dhënë edhe mbiçmimi më i fortë i kursit nominal efektiv të këmbimit (10.5% krahasuar me 7.8% gjatë tremujorit të dytë të vitit).
Pritjet për inflacionin të bizneseve dhe të agjentëve financiarë kanë vijuar prirjen rritëse në tremujorin e tretë, ndërsa pritjet e konsumatorëve kanë shënuar rënie këtë tremujor. Pritjet e bizneseve qëndrojnë në nivele më të larta krahasuar me agjentët e tjerë të ekonomisë. Kështu, ata presin që inflacioni pas një viti të jetë 12.7%. Konsumatorët presin që inflacioni pas një viti të jetë 9.1%, rreth 0.5 pikë përqindje më pak se pritjet e tyre në tremujorin e dytë.
Pritjet e agjentëve financiarë për inflacionin janë rishikuar për lart, për të tre horizontet kohore, por duke mbetur nën vlerat e inflacionit faktik të tremujorit të tretë të këtij viti. Ata presin që inflacioni pas një, dy dhe tre vitesh të jetë përkatësisht 6.0%, 4.6% dhe 3.9%, duke iu afruar objektivit. Ndërkohë që departamenti i kërkimit shkencor i Bankës së Shqipërisë është shumë më optimist në parashikime. Në një analizë eksluzive për televizionin Scan, kreu i Këti Departamenti Altin Tanku lexoi si shenjë pozitive rënien e inflacionit në muajin nëntor, duke parashikuar rënie domethënëse pas gjysmës së parë të vitit 2023, për t’ju afruar normës 3% në fillim të vitit 2024.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.