2,4 mld USD për bateritë e makinave elektrike – Vendimi i Japonisë do të zgjerojë kapacitetin e prodhimit me 50%
Kristi Ceta/SCAN
Japonia do të japë më shumë subvencione për prodhimin e baterive të automjeteve elektrike, duke premtuar deri në 2.4 miliardë dollarë në mbështetje për projektet e ndërlidhura me Toyota Motor dhe kompani të tjera të mëdha, pasi kërkon të forcojë zinxhirin e furnizimit me bateri.
Qeveria do të mbështesë 12 projekte për ruajtjen e baterive apo për materialet, pajisjet e tyre të prodhimit, u tha gazetarëve Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë Ken Saito. Ai shpreson që këto përpjekje do të forcojnë zinxhirin e furnizimit të baterive në Japoni dhe konkurrencën e industrisë së baterive.
Masa do të ndihmojë në zgjerimin e kapacitetit vjetor të prodhimit të baterive në vend me rreth 50%, në 120 gigavat-orë (GWh), nga 80 GWh që është aktualisht.
Mbështetja e qeverisë përfshinte mbështetjen për investime nga Toyota, Nissan Motor dhe projekte të përbashkëta që Panasonic Holdings do të drejtojë me prodhuesit e automjeteve Subaru dhe Mazda Motor.
Mbështetja e fundit vjen pasi qeveria premtoi rreth 1 miliard dollarë subvencione për prodhimin e baterive në qershor të vitit të kaluar dhe një grup të parë subvencionesh në prill 2023.
Toyota do të investojë një total prej rreth 245 miliardë jenësh me filialet e saj të baterive Prime Planet Energy & Solutions dhe Primearth EV Energy për të rritur kapacitetin e prodhimit për bateritë në gjendje të ngurtë dhe prizmatike me 9 GWh.
Kompania do të nisë furnizimin me bateri nga nëntori 2026. Në një deklaratë, Toyota konfirmoi se ministria kishte certifikuar planet e zhvillimit dhe prodhimit të baterive të gjeneratës së ardhshme dhe të gjendjes së ngurtë, por nuk zbuloi shumën e investimit të saj ose informacionin për fabrikat e reja.
Panasonic Energy do të furnizojë Subaru me bateri të tilla nga një fabrikë në prefekturën Osaka nga viti 2027, thanë ata, një investim total prej 463 miliardë jenësh.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.