3.5 mld euro shtesë për paga dhe pensione – Greqia “shfrytëzon” rritjen ekonomike mbi mesataren e eurozonës
Kristi Ceta/SCAN
Greqia do të shpenzojë 3.5 miliardë euro shtesë vitin e ardhshëm për rritjen e pensioneve, pagave dhe për mbrojtjen, tha ministri i Financave Kostis Hatzidakis.
Hatzidakis dha detaje të mëtejshme mbi një paketë financiare që kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis zbuloi gjatë fundjavës, që përfshin gjithashtu një ulje të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe një rritje të pagës minimale.
“Kjo mund të arrihet sepse kemi rritje të fortë, më të lartë se mesatarja e eurozonës,” u shpreh Hatzidakis.
Në fjalimin e tij vjetor të politikës ekonomike në panairin tregtar të Selanikut në Greqinë veriore, Mitsotakis tha se do të rrisë pensionet deri në 2.5% në 2025 dhe do të rrisë pagën minimale mujore në një përpjekje për të lehtësuar familjet që po luftojnë me një krizë të vazhdueshme të kostos së jetesës.
Greqia është ende duke u rikuperuar nga një krizë borxhi që fshiu gati një të katërtën e prodhimit ekonomik në 2009-2018 mes masave shtrënguese që përfshinin shkurtime të përsëritura të pagave dhe pensioneve.
Por financat publike janë përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme vitet e fundit, duke ofruar hapësirë për rritjen e pagave brenda kufijve buxhetorë. Ekonomia greke pritet të rritet me 2.5% këtë vit dhe me një normë të ngjashme në vitin 2025, duke tejkaluar mesataren e eurozonës.
Dy burime qeveritare thanë se Greqia planifikon të vazhdojë shlyerjet e saj të kredive të shpëtimit përpara afatit, duke përfituar nga rimëkëmbja ekonomike dhe tepricat primare të buxhetit.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.