3657 pronarë tërhoqën dosjet, gati për gjykatë – Në total 6,950 subjekte pa vendim kthim-kompensimi pritet të padisin Agjencinë e Pronave
Deri në fund të vitit të vitit të shkuar, rezulton se 3,657 pronarë kanë tërhequr dosjet nga Agjencia e Trajtimit të Pronave për shkak se nuk kanë marrë përgjigje lidhur me kërkesat për kthim kompensim. E dhëna është bërë publike nga vetë Agjencia, sipas së cilës janë në total 6950 për të cilat nuk ka marrë vendim për njohje.
Në bazë të ligjit, të gjithë këto subjekte mund t’i drejtohen gjykatave për shkak të mungesës së një vendimi nga ana e Agjencisë së Trajtimit të Pronës.
Ndërsa është tërhequr deri tani vetëm gjysma e dosjeve pa përgjigje, jë pjesë e mirë e subjekteve i janë drejtuar tashmë gjykatave. Kundër Agjencisë janë depozituar 31 padi në janar, dhe 56 në shkurt, duke ruajtur të njëjtin trend të një viti më parë, kur sektori i përfaqësimit ligjor ka ankimuar mbi 800 vendime, ndërkohë që planifikonte të mbyllte 1 mijë.
Vetë Agjencia raporton se shkak është bërë mungesa e Gjyqtarëve të shkarkuar nga procesi i Vetting-ut, ndërkohë që situata pritet të përkeqësohet edhe më tej me reduktimin e numrit të gjykatave me hartën e re gjyqësore.
Ndërkohë që ndryshimet e sapo miratuara nga Ministria e Drejtësisë në Ligjin e Pronave, pritet të sjellin rritje të mëtejshme të padive ndaj Agjencisë, për shkak se ato reduktojnë edhe më tej vlerat e kompensimeve që përfitojnë pronarët.
Ndryshimet në fjalë erdhën si pasojë e shfuqizimit të dy neneve të Ligjit për Trajtimin e Pronës nga Gjykata Kushtetuese në shkurt të vitit 2021, dhe një detyrimi nga Gjykata e Strasburgut që pronarët të kompensohen me jo më pak se 10% e vlerës reale të pronës.
Ndërkohë që shoqatat e pronarëve paralajmërojnë se ndryshimet e sapo miratuara nga Ministria e Drejtësisë e ulin vlerën e kompensimit nën kufirin prej 10% të vendosur nga Strasburgu, shkak për të cilin do ta dërgojnë përsëri Ligjin në Kushtetuese.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.