45% e maturantëve aplikuan në Fakultetin Ekonomik – Kule: Kuota të lira edhe pas raundit të parë. Viti akademik të nisë më shpejt
Fakulteti i Ekonomisë pranë Universitetit të Tiranës ka shpallur fituesit për këtë vit të ri akademik. Dekani Dhori Kule bëri të ditur se rreth 45% e maturantëve në të gjithë vendin kanë përzgjedhur këtë fakultet duke plotësuar 1200 kuotat të vendosura si kriter.
‘Pra 45% e të gjithë matutrantëve të Shqipërisë kanë aplikuar në fakultetin tonë, tregues ky i interesit dhe zgjedhjes prioritare për fakultetin dhe këtë zgjedhje ua imponon tregu i punës. Ata që mbarojnë Fakultetin e Ekonomisë kanë siguri maksimale për gjetjen e punës dhe sistemimin në tregun e punës. Nëse do të regjistrohen të gjithë fituesit, Fakultetin e Ekonomisë ka 1200 kuota për 4 degët që kemi ne. Nëse regjistrohen ditën e parë të gjithë, mbeten 307 vende bosh sepse janë fitues të shpallur në disa degë. Do ju bëja thirrje maturantëve që të mos shqetësohen nga shpalljet e para, të presin zbritjen e listës, niveli është shumë i lartë’, tha Kule.
Ndërkohë numri i kuotave në Fakultetin e Ekonomisë krahasuar me një vit më parë nuk ka ndryshuar ku të shpërndara sipas degëve janë: adiministrim biznesi 420 kuota, financa 440, informatika ekonomike 240 dhe ekonomiksi 100 vende.
Kule u bën thirrje maturantëve të mos shqetësohen sepse numri i degëve lirohet pasi të bëhen regjistrimet e maturantëve të raundit të parë. Dekani ngriti shqetësimin se universitetet duhet të nisin më shpejt pasi është një zvarritje për studentët fillimi i vitit akademik në mes të tetorit. Sipas Ministrisë së Arsimit, nisja e vitit akademik në këtë periudhë ndodh për shkak të pritjes së regjistrimit të studentëve, të cilët aplikojnë në raundet e fundit.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.