Sigurimi i makinës nuk do të kushtojë njëlloj për të gjithë – Bordi i AMF miraton rregulloren. Hyn në fuqi më 1 janar 2025
Ernilda Luzi/SCAN
Nga 1 janari i viti 2025 drejtuesit e mjeteve do të paguajnë tarifa të reja bazuar në një listë faktorësh që ndikojnë në rrezikun për të shkaktuar dëme nga drejtuesit e mjeteve.
Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar rregulloren “për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”
Shoqëria e sigurimit për kategorinë autovetura, përllogarit primin e sigurimit bazuar në faktorët e riskut, si: Historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit;
- b) Fuqia motorike;
- c) Mosha e të siguruarit;
- d) Eksperienca në drejtimin e mjetit motorik;
- e) Përdorimi i mjetit: subjekt, individ;
- f) Qarku i regjistrimit të mjetit;
- g) Vjetërsia e mjetit.
Në rregullore parashikohet që mund të zbatohen edhe faktorë të tjerë risku, përveç atyre të parashikuara në pikën 1 të këtij neni.
Shoqëritë e sigurimit do t’i përcaktojnë vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas metodologjisë së përcaktuar, por janë të detyruara të njoftojnë AMF-në 30 ditë kalendarike përpara aplikimit të tarifave të reja të primit.
Ndërkaq së bashku me njoftimin për aplikimin e tarifave të reja të primit, depoziton pranë Autoritetit bazën teknike të të dhënave, faktorët e riskut dhe vlerësimet aktuariale të përdorura për llogaritjen e primeve të sigurimit, të shoqëruara me opinionin e aktuarit të autorizuar të shoqërisë, të paraqitur në formën e një raporti me shkrim, thuhet në rregullore
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.