Aeroportet amerikane plot me bagazhe të humbura – Dhjetëra mijëra mbetën pa adresë prej anulimit të fluturimeve
Udhëtarëve të cilët fundjavën e Krishtlindjeve u përballën me mijëra fluturime të anuluara për shkak të stuhisë së dëborës që goditi pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tashmë iu ka lindur një problem i ri. Ata duhet të gjejnë bagazhet e tyre.
Pamje nga aeroporte të ndryshme konfirmojnë se janë me dhjetëra mijëra valixhe që kanë mbetur në tokë dhe vazhdojnë të shtohen në numër këto ditë në pritje që të merren nga pronarët e tyre.
Vala të ftohtit të jashtëzakonshëm detyroi kompanitë ajrore që të anulojnë më shumë se 12 mijë fluturime që nga e premtja e një jave më parë. Një situatë që ka risjellë vëmendjen tek autoritetet e kontrollit. Kritikat kanë qenë të shumta duke akuzuar kryesisht kompanitë ajrore se nuk mund të thonë me saktësi ku gjenden ekuipazhet e tyre e jo më pasagjerët dhe bagazhet.
Por nga ana e tyre kompanitë ajrore, sipas raportimeve të CNN, fajësuan për situatën e krijuar një kombinim faktorësh: vonesave si pasojë e kushteve metereologjike, planifikimit të fluturimeve, problemet në sistem dhe infrastrukturat e parregullta.
Komisioni i transportit në senatin amerikan konfirmoi se do të kryhen hetime për anulimet masive dhe kaosin e krijuar mes pasagjerëve.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.