Aktiviteti i biznesit mbështet euron – Shërbimet dhe manifakturë rriten për herë të parë që nga shtatori
Euro po qëndron në nivelin më të lartë në 9 muajt e fundit edhe në sesionin e sotëm, përballë dollarit amerikan, pasi të dhënat e publikuara në Eurozonë treguan se aktiviteti i biznesit regjistroi një rritje surprizë gjatë janarit, ndërsa në Shtetet e Bashkuara ra për të shtatin muaj me radhë. Sektori i manifakturës dhe i shërbimeve në Eurozonë u rrit për herë të parë që nga shtatori i vitit të kaluar, që sugjeron se besimi mund të jetë rikthyer në fillim të këtij viti.
Një ekonomi më e fortë i jep hapësira Bankës Qendrore Europiane të rrisë agresivisht normat e interesit, për të luftuar inflacionin. Tashmë, investitorët do të presin takimin e Rezervës Federale që zhvillohet javën e ardhshme, ku me shumë mundësi norma bazë e interesit do të rritet me 25 pikë bazë. Euro po këmbehet në rreth 1.088 dollarë, shumë pranë nivelit më të lartë në 9 muajt e fundit.
Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin vijon të tregtohet poshtë, por pranë 23 mijë dollarëve, niveli më i lartë që nga fillimi i janarit, kur filloi edhe kolapsi i FTX. Ethereum po tregtohet në rreth 1550 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.