“Anijet shqiptare do të peshkojnë në dete të largëta” – Denaj: Rritje e sasisë së peshkut të zënë, shtim i eksporteve
Ledina Elezi/SCAN
Anijet shqiptare do të lejohen të peshkojnë në dete më të thella dhe të largëta. Në Komisionin parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, u diskutua projektligji për peshkimin, i cili ndër të tjera parashikon një shtim të lejeve për anijet që do të peshkojnë përtej Detit Mesdhe.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Anila Denaj, theksoi që këto ndryshime do të sjellin një rritje të sasisë së peshkut të zënë, e cila do të përkthehet edhe me një shtim të eksporteve.
“Ne kemi një flotë e cila përbëhet nga gati 811 mjete, të cilat sot lundrojnë në Detin Mesdhe, por mundësia e këtij ligji jep në të ardhmen, jo vetëm një rinovim të flotës për të realizuar përafrimin e standardeve, por edhe shtim të saj dhe për të shkuar në dete më të thella sesa ato që jemi ne sot, pra e thënë me fjalë të thjeshta, jep mundësi më të madhe për ekonominë.”
Nga ana tjetër, Zëvendësministri Roland Kristo u shpreh se Deti Mesdhe është i mbipeshkuar, e për këtë arsye anijet shqiptare do të lejohen të lundrojnë në zonat me potencial të lartë peshkimi, siç janë brigjet e Afrikës dhe Amerikës së Jugut.
“Deti Mesdhe quhet një det i varfër, është një det i mbipeshkuar. Detet kryesore për peshkim janë pjesa perëndimore e Afrikës, e gjithë zona e Mauritanisë, Senegalit. Pjesa tjetër është brigjet e Amerikës së Jugut, Kili, Argjentina, të gjithë e kemi dëgjuar kallamarin e Patagonias.”
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.