Arrihet marrëveshja historike e biodiversitetit në COP15!
Negociatorët arritën një marrëveshje historike në një konferencë të OKB-së për biodiversitetin herët të hënën, që do të përfaqësonte përpjekjen më të rëndësishme për të mbrojtur tokën dhe oqeanet e botës, si dhe për të ofruar financime kritike për të shpëtuar biodiversitetin në botën në zhvillim.
Korniza globale vjen një ditë përpara se Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Biodiversitetin, ose COP15, të përfundojë në Montreal, Kanada. Kina, e cila mban presidencën në këtë konferencë, publikoi një draft të ri më herët gjatë ditës, që i dha vrull bisedimeve.
Pjesa më e rëndësishme e marrëveshjes është një angazhim për të mbrojtur 30% të tokës dhe ujit që konsiderohen të rëndësishme për biodiversitetin deri në vitin 2030. Aktualisht, 17% e tokës dhe 10% e zonave detare janë të mbrojtura.
Drafti gjithashtu bën thirrje për mbledhjen e 187 miliardë eurove deri në vitin 2030 për biodiversitetin nga një sërë burimesh dhe për të punuar për të hequr ose reformuar subvencionet që mund të ofrojnë 469 miliardë euro të tjera për natyrën.
Si pjesë e paketës së financimit, kuadri dëshiron të rrisë fondin që shkon për vendet më të varfra deri në të paktën 18 miliardë euro në vit deri në vitin 2025. Shifra është rreth dyfishi i asaj që ofrohet aktualisht. Ky numër do të rritet në 28 miliardë euro deri në vitin 2030.
Teksti gjithashtu ofron garanci për popujt indigjenë, kujdestarë të 80% të biodiversitetit të mbetur të Tokës. Ai propozon gjithashtu rivendosjen e 30% të tokës së degraduar dhe përgjysmimin e rrezikut të pesticideve.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.