Balluku në Qendrën Operacionale të Sigurisë Kibernetike: Kemi forcuar mbrojtjen, dixhitalizimi prioritet
Qendra Operacionale e Sigurisë Kibernetike, një strukturë e sigurisë së lartë, e ngritur nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, monitoron në mënyrë të vazhdueshme, në kohë reale, të gjitha kërcënimet kibernetike të cilat kryhen në territorin e Shqipërisë, por edhe më gjerë. Falë ekspertizës dhe platformave mbështetëse kjo Qendër arrin të parashikojë kërcënimet kibernetike që mund të vijnë drejt infrastrukturave tona kritike.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte në zyrat e AKCESK, ku së bashku me drejtorin e këtij institucioni Igli Tafa inspektoi nga afër aktivitetin e kësaj Qendre, u njoh me rezultatet e arritura deri më tani, por edhe objektivat.
Drejtori Tafa e informoi se krahas punës që po bëhet nga ekspertët e AKCESK, kjo Qendër është në kontakt të vazhdueshëm, duke shkëmbyer informacione edhe me institucionet homologe në vendet më të zhvilluara të mbrojtjes kibernetike.
Siguria kibernetike, u shpreh zëvendëskryeministrja Balluku, është një ndër elementët më të rëndësishëm duke pasur parasysh se tashmë Shqipëria ka hedhur hapa të konsiderueshëm drejt dixhitalizimit të shërbimeve.
Qeveria Shqiptare ka marrë të gjitha masat për ti krijuar kushtet e duhura kësaj agjencie, e cila ka arritur rezultate të rëndësishme gjatë vitit të fundit duke ngritur në një nivel tjetër sigurinë e rrjeteve shqiptare, në bashkëpunim edhe me partnerët.
Pranë kësaj Qendre janë angazhuar ekspertë më të mirë të fushës në vendin tonë. Disa prej tyre janë të pajisur me certifikata ndërkombëtare që vërtetojnë se janë ndër ekspertët më të mirë në rajon.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.