Bankat braktisin Frankfurtin për Londrën – Gjermania rrezikon ndërprerje të energjisë elektrike këtë dimër
Nga Londra në Frankfurt vajtje-ardhje. Britanikja Daily Mail raporton për një rikthim të mundshëm të disa prej aktiviteteve kryesore të gjigantit bankar amerikan JP Morgan – përfshirë aktivitetet tregtare – në kryeqytetin britanik, historikisht qendra e financave europiane dhe globale. Banka e drejtuar nga Jamie Dimon, si dhe shumë institucione të tjera globale, përfshirë Goldman Sachs, Citi, e Nomura, në 2020-ën, kishin “lehtësuar” praninë e tyre në tregun e Londrës duke lëvizur burimet dhe investimet në Frankfurt, qendra e parë financiare europiane, për shkak të Brexit.
Frika ishte se dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian do të vështirësonte aktivitetet bankare me vendet e BE-së nga pikëpamja rregullatore dhe operacionale. Por tani gjigandi bankar amerikan po e vë në dyshim këtë zgjedhje për shkak të problemeve të krijuara nga lufta ruso-ukrainase. Ndërprerja e furnizimit me gaz të Gjermanisë nga Rusia në fakt ka shtyrë qeverinë gjermane të japë alarmin për ndërprerjet e mundshme të energjisë elektrike që mund të ndodhin në muajt e ardhshëm pikërisht për shkak të pengesave në tregun e gazit dhe naftës.
Një skenar që ka alarmuar JP Morgan dhe banka të tjera të mëdha ndërkombëtare pikërisht për rrezikun, kostot e të cilave janë shumë të larta, për të pezulluar aktivitetet e tyre për shkak të këtyre pezullimeve të përkohshme, por të paparashikueshme të furnizimeve me energji. JP Morgan nuk pranoi të komentonte mbi këto zëra, ndërsa banka të tjera globale të investimeve, përfshirë Goldman Sachs dhe Citi, konfirmojnë se “shpërndarja” e aktiviteteve në kontinent do të siguronte diversifikim të mjaftueshëm të rrezikut.
Goldman Sachs në veçanti, si rezultat i një strategjie të pranisë më të madhe në territor dhe afërsisë më të madhe me klientët, por edhe për përballimin e rreziqeve të shkaktuar nga Brexit, pas daljes së Londrës nga BE-ja ka forcuar ndjeshëm zyrat në Paris dhe Milano, si dhe atë të Frankfurtit. Në veçanti, për sa i përket Milanos pas Brexit, punonjësit e Goldman Sachs kanë shkuar nga rreth dhjetë në rreth njëqind. Numra që gjithsesi mbeten të vegjël kur krahasohen me mijëra punonjës që bankat e mëdha kanë mbajtur ende në Londër, pavarësisht Brexit.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.