“Bankat, të pambrojtura ndaj krizës energjetike?!” – Studimi i holandezes ING paralajmëron rrezikun e krijimit të kredive të reja të këqija
Bankat në Gjermani, Greqi, Itali dhe Holandë janë më të ekspozuarat në Europë ndaj efekteve të krizës energjetike nëpërmjet kreditimit të korporatave, theksohet në një studim të bankës holandeze ING. Më në detaje, siç thekson banka holandeze, bazat e bankave europiane janë nën presionin e krizës së vazhdueshme energjetike dhe rreziqet nga ekspozimi direkt dhe indirekt ndaj sektorit janë në rritje.
Në fund të tremujorit të dytë, teprica e kredive të bankave europiane për sektorin e energjisë arriti në 322 miliardë euro, me rritje prej 18% me bazë vjetore, ose 50 miliardë euro, sipas Autoritetit Bankar Europian. Që atëherë, ekspozimi ndaj sektorit të energjisë është rritur më tej, pasi kriza energjetike ka bërë që bankat të mbështesin kompanitë e energjisë dhe të ofrojnë linja krediti për të përmbushur kërkesat e tyre.
Sipas llogaritjeve të ING, kreditimi i bankave europiane për sektorin e energjisë përfaqëson 5.2% të të gjitha kredive të korporatave, por vetëm 1.6% të totalit të kredisë. Megjithëse bankat franceze kanë dhënë më shumë kredi për sektorin e energjisë, afro 90 miliardë euro, ato janë ende të ulëta si përqindje e totalit të kredive. Bankat me ekspozimet më të mëdha në sektorin energjetik në raport me madhësinë e totalit të portofolit të korporatave përfshijnë ato gjermane me 8.2% dhe greket me 7.9%, ku pesha e totalit të kredive është gjithashtu më e larta midis vendeve të BE-së.
Përtej efekteve të drejtpërdrejta, kriza energjetike prek edhe bankat në mënyrë indirekte, thekson ING. Përveç kompanive në sektorin e energjisë, kompanitë që janë shumë të varura nga energjia për funksionimin e tyre pritet gjithashtu të preken ndjeshëm nga ndërprerjet në tregjet e energjisë. Këto përfshijnë kompani në sektorë të tillë si miniera, guroret, transporti, magazinimi, bujqësia, pylltaria, peshkimi, furnizimi me ujë dhe prodhimi, të cilat të gjitha janë me energji intensive.
Bankat e BE-së janë veçanërisht të ekspozuara ndaj bizneseve në sektorët me energji intensive, me ekspozime që arrijnë në 1.7 trilionë euro, ose në 27.9% të totalit të kredive të korporatave në tremujorin e dytë të 2022. Ekspozimet korrespondojnë me afërsisht 8% të të gjitha kredive. Ekspozimet më të larta absolute janë ndaj bankave franceze, italiane dhe spanjolle. Megjithatë, pjesa e sektorëve me intensitet energjie si përqindje e totalit të portofolit të korporatave dhe si përqindje e totalit të huadhënies është më e lartë në vende si Greqia (me 42% dhe 17% respektivisht), Italia (39% dhe 15%) dhe Holanda (41% dhe 12%). Siç thekson ING, rezervat e kapitalit të bankave ofrojnë mbrojtje ndaj rreziqeve më të larta të kreditimit. Ndonëse bankat europiane në përgjithësi kanë rezerva kapitale shumë të shëndetshme, ato në Europën Jugore rezervat I kanë relativisht më të vogla. Kreditimi i sektorit të energjisë si përqindje ndaj totalit të fondeve është më i lartë në Greqi, Gjermani dhe Spanjë, pasi bankat kanë ekspozime më të larta dhe mbulesë kapitali më të ulët. “Kjo jep një tregues të përgjithshëm se cilat banka janë më të ekspozuara ndaj ndryshimeve në cilësinë e kreditimit të këtyre ekspozimeve,” thekson ING, pasi bankat kanë ekspozime më të larta dhe mbulesë kapitali më të ulët.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.