Bankat ulin me 200 milionë dollarë kërkesën për likuiditet – Situata e mirë me depozitat, injektimet nga BSH më të ultat që prej 2020
Viti 2022 e ka gjetur sistemin bankar me nivele mjaft të kënaqshme likuiditeti, duke e bërë Bankën e Shqipërisë të ulë ndjeshëm operacionet injektuese. Vetë Banka e Shqipërisë ka njoftuar se injektimi mesatar ditor nëpërmjet operacioneve të likuiditetit me maturim 1-13 javë, ka qenë 30.4 miliardë lekë, apo afërsisht 300 milionë dollarë, kundrejt 42.4 miliardë lekësh, afërsisht 420 milionë dollarëve, në 3-mujorin e mëparshëm.
Mungesa mesatare për T1 2022 prej rreth 30.3 mld lekësh ka qenë më e ulëta e regjistruar që prej 3-mujorit të parë të vitit 2020, kur shënonte vlerën 27.3 miliardë lekë, thekson Banka e Shqipërisë.
Ekspertët e pyetur nga Televizioni Scan e lidhin këtë situatë të mirë likuiditeti të sistemit bankar me shtimin e ndjeshëm të depozitave gjatë gjithë vitit të shkuar, ashtu si dhe me pakësim të nevojës së bizneseve për kredi operacionale. Një tjetër faktor shtesë janë nivelet e larta të valutës në qarkullim në tregun shqiptar.
Kërkesa e bankave për likuiditet në operacionet e Bankës së Shqipërisë ka rënë nga 41.6 mld lekë në fillim të janarit, në 21.50 miliardë lekë deri në mesin e muajit shkurt, dhe e mbylli periudhën pa ndryshime, me një rënie prej rreth 20 miliardë lekësh, afërsisht 200 milionë dollarë.
Në funksion të operacioneve për administrimin e likuiditetit të sistemit bankar, Banka e Shqipërisë njofton se ka përdorur instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, për mesatarisht 20.1 miliardë lekë ose 66.30% të injektimit total, kundrejt 63.20% mesatarisht në dy 3-mujorët e mëparshëm.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.