Basti prej 10 trilionë euro – Plani i europianëve për rimëkëmbjen ekonomike
Dorina Kurtaj / SCAN
Në vitet e fundit, ekonomia europiane nuk ka regjistruar rritje të konsiderueshme. Krahasuar me ekonominë amerikane në zgjerim, Europa mbetet në stanjacion. Të dhënat e fundit tregojnë se eurozona u rrit me 0.3% në tremujorin e parë të këtij viti, duke shënuar zgjerimin e parë të rëndësishëm pas gjashtë tremujorëve radhazi të recesionit.
Nga ana tjetër, inflacioni, i cili ishte një kërcënim për ekonominë europiane, është frenuar. Inflacioni vjetor në eurozonë mbeti i qëndrueshëm në 2.4% në prill, afër objektivit të BQE. Inflacioni bazë, i cili përjashton çmimet e paqëndrueshme të ushqimeve dhe energjisë, u lehtësua nga 2.9% në 2.7%. Është inkurajues fakti që ky frenim i inflacionit u arrit pa u rritur papunësia, e cila mbetet në nivelin 6.1%.
Sipas një raporti të Politico, në rezervën e tij, Bashkimi Europian ka 10 trilion euro, që është më shumë se një e treta e madhësisë së ekonomisë amerikane.
Konkretisht, ideja që është diskutuar, si në nivel ministror, ashtu edhe në nivel të liderëve europianë, është krijimi i një bashkimi të tregjeve të kapitalit dhe investimi i një pjese të këtyre burimeve në ‘të.
Kjo do të çonte në një rifillim të ekonomisë europiane. Për qeveritë, heqja e pengesave për të gjithë këtë mund të jetë shansi i fundit për të shpëtuar kontinentin nga rënia në humnerën ekonomike.
Në fund të fundit, BE-ja ka theksuar vazhdimisht avantazhet e tregut të vetëm, një bashkim ku njerëzit, mallrat dhe paratë mund të lëvizin pa pengesa brenda Unionit, sikur të ishte një vend i madh si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, ajo nuk ka arritur ta përmbushë këtë premtim, veçanërisht në aspektin e rrjedhës së parasë.
Unioni i Tregjeve të Kapitalit do të lidhë 27 tregje të ndryshme që ekzistojnë në të gjithë BE-në, duke mundësuar që investimet të rrjedhin përtej kufijve dhe në këtë proces të tërheqin më shumë kapital për të financuar industrinë europiane dhe për ta ndihmuar atë të përballet me konkurrentët jashtë saj.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.