BE, 500 milion euro ndihmë për Ballkanin Perëndimor – Paratë do të përdoren për përballimin e krizës energjetike
Bashkimi Europian ka premtuar 500 milionë euro për të përmirësuar infrastrukturën energjetike në Ballkanin Perëndimor. Deklarata u bë nga shefja e komisionit Ursula von der Leyen në Maqedoninë e Veriut, në ndalesën e parë të një turneu në rajon.
Vendimi vjen pasi rritja e çmimeve të energjisë shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë dhe fillimi i dimrit, dërgojnë sinjale tronditëse në ekonomitë evropiane që tashmë po luftojnë me inflacionin në rritje.
Sipas Von der Leyen ndihma fillon me 80 milionë euro në mbështetje të menjëhershme buxhetore për Maqedoninë e Veriut për të “ndihmuar në adresimin e ndikimit të çmimeve të larta të energjisë”.
Një pjesë e mbështetjes do të jepet përmes blerjes së përbashkët të gazit në tregun botëror.
Sipas kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, energjia dhe kriza ekonomike e shkaktuar nga lufta në Ukrainë kanë bashkuar Europën. Vetëm të bashkuar mund ta përballojmë mungesën e energjisë dhe ushqimit, shtoi ai.
Lajmi ka të ngjarë të vijë si një lehtësim i mirëpritur për shumë vende në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut, ku prodhimi vendas i energjisë elektrike plotëson vetëm dy të tretat e nevojave vjetore.
Shumica e vendeve në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, kanë qenë në faza të ndryshme të negociatave për anëtarësimin e mundshëm në Bashkimin Europian, me disa vende që kanë qenë kandidatë zyrtarë për anëtarësim për më shumë se një dekadë.
Zyrtarët e BE-së kanë deklaruar vazhdimisht se vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e familjes europiane pavarësisht procesit të gjatë të anëtarësimit. Ekspertët kanë paralajmëruar se procesi i bllokuar i integrimit ka provokuar një euroskepticizëm në rritje, duke lënë hapësirë që ndikimi rus të rritet në rajon. Vizita e së mërkurës shënoi udhëtimin e dytë të von der Leyen në Shkup këtë vit. Shefja e Komisionit të BE-së vijon turneun në Ballkanin Perëndimor me Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.