“BE po mbetet pas rivalëve globalë” – Draghi analizon sfidat aktuale të bllokut evropian
Kristi Ceta/SCAN
Bashkimi Evropian po mbetet prapa rivalëve globalë për shkak të inovacionit të kufizuar, çmimeve të larta të energjisë dhe mungesës së aftësive, tha ish-shefi i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi.
Komisioni Evropian i kërkoi Draghit një vit më parë të shkruante një raport se si BE-ja duhet ta mbajë ekonominë e saj të gjelbër konkurruese dhe të aftë për të sfiduar Kinën dhe Shtetet e Bashkuara në një kohë kur tensionet globale janë në rritje.
Draghi, gjithashtu ish-kryeministër i Italisë, pritet të publikojë raportin të hënën. Ky raport ka të ngjarë të drejtojë debatin te konkurrenca e BE-së, një nga prioritetet e Komisionit të ardhshëm Evropian, që do të marrë detyrën më vonë këtë vit.
Në një sesion të mbyllur para ambasadorëve të BE-së dhe udhëheqësve të grupeve në Parlamentet Evropiane, Draghi përvijoi sfidat me të cilat përballet blloku, sipas burimeve të BE-së.
Ai tha se BE-ja duhet të përshpejtojë digjitalizimin e ekonomisë dhe tha se “ndryshimi radikal” kërkon një rol të fortë në sektorin privat dhe bashkëpunim të paprecedentë midis institucioneve të BE-së.
Raporti, që pritet të ketë rreth 400 faqe, është vendosur të mbulojë hendekun e produktivitetit të BE-së në krahasim me rivalët, nevojën për të reduktuar varësitë e BE-së, të tilla si mineralet kryesore të baterive nga Kina, dhe sfidën e ndryshimeve klimatike. Ai do të përmbyllet me rekomandime për 10 sektorët kryesorë të ekonomisë.
Draghi ka thënë më parë se BE-ja duhet t’u përgjigjet në mënyrë më efektive rivalëve që nuk luajnë më sipas rregullave globale të vendosura prej kohësh dhe të fokusohet më shumë në konkurrencën globale sesa atë brenda bllokut.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.