BE rishikon subvencionet për hidrogjenin – Vendimi synon të kufizojë ndikimin e Kinës në rajon
Kristi Ceta/SCAN
Komisioni Evropian po punon për rregulla më të rrepta për të siguruar që financimi i BE-së për projektet e hidrogjenit të jetë pozitiv për kompanitë evropiane, pasi industrisë lokale ngritën shqetësime mbi importet e lira nga Kina. BE-ja këtë muaj do të lançojë raundin e saj të ardhshëm të financimit për projektet e hidrogjenit të gjelbër, ndërsa Brukseli përpiqet të nxisë një industri lokale për të prodhuar këtë karburant.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian po ashpërson qëndrimin ndaj teknologjive të tjera të gjelbra nga Kina, duke vendosur tarifa mbi automjetet elektrike, të cilat sipas bllokut përfitojnë nga subvencionet e tepërta. Prodhuesit evropianë të elektrolizerëve, makinerive që përdorin elektricitetin për të ndarë ujin dhe prodhuar hidrogjen, kanë paralajmëruar se nuk mund të konkurrojnë me prodhuesit e lirë kinezë. Ata duan që BE-ja t’i mbrojë duke shtuar kritere që do të favorizojnë firmat vendase në skemën e financimit të Bankës së Hidrogjenit. Komisioneri për klimën, Wopke Hoekstra, tha se ekzekutivi i bllokut tani po punon me këtë çështje.
“Do të kemi kritere të qarta për ndërtimin e zinxhirëve të furnizimit me elektrolizerë evropianë,” tha Hoekstra, duke theksuar se, ndërsa Europa ka mundësi prodhimi të mjaftueshme, Kina po mbush tregun me çmime më të ulëta.
Hoekstra tha se kriteret e planifikuara për subvencionet e hidrogjenit, ndonëse ende nuk janë përfundimtare, mund të përfshijnë që kërkesat për punë të bëhen brenda Evropës, ose të vendosë një kufi mbi varësinë e projekteve nga vendet jashtë BE-së. Rregullat e sigurisë kibernetike do të jenë të orientuara për të siguruar që të dhënat evropiane të mos përfundojnë në duart e qeverive jashtë BE-së.
Bashkimi Evropian ndau 720 milionë euro për shtatë projekte të hidrogjenit në BE në prill. Një dokument i Komisionit, tregonte se rreth një e katërta e projekteve që aplikuan për financim planifikonin të merrnin elektrolizerët e tyre nga jashtë BE-së. Një tjetër 25% e projekteve planifikonte të përdorte një përzierje të pajisjeve të prodhuara brenda dhe jashtë BE-së. Hoekstra tha se BE-ja nuk synon të ndërpresë lidhjet me Kinën, por do të ndërmarrë veprime aty ku e konsideron konkurrencën të padrejtë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.