Bie prodhimi i energjisë – Shifrat për 3-mujorin, 52.8% u gjenerua nga KESH. Centralet diellore rritën lehtë “kontributin”!
2,015,892 mwh energji u prodhua gjatë 3-mujorit të parë të vitit nga të gjithë burimet gjerneruese në vend, duke shënuar rënie në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rënie ishte e pritshme, duke qenë se viti i kaluar ishte një nga vitet më të mirë në drejtim të gjenerimit të energjisë, për shkak të kushteve të favorshme hidrike.
Sipas të dhënave zyrtare, të siguruara nga TV SCAN prodhimi u dominua nga hidrocentralet e kaskadës së Drinit me 52.8% të energjisë totale të prodhuar, ndërkohë që pjesa tjetër prej 47.2% u gjenerua nga HEC-et private dhe koncesionare. Një përqindje të vogël në këtë sasi të prodhuar zë edhe energjia nga impiantet fotovolatike të lidhur me sistemin e shpërndarjes, të cilët për 3-mujroin gjeneruan 8,989 Mwh energji.
Kjo sasi ka pësuar një rritje të lehtë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë ku u prodhua 8,001 Mwh energji, ndonëse numri i impianteve të janë në prodhim nuk ka pësuar ndryshim. Ndërkaq, sipas të njëjtave të dhëna rezulton se konsumi i energjisë për periudhën janar-mars arriti në 2,357,958 mwh, një sasi më e madhe sesa energjia e gjeneruar nga centralet në vend.
Për këtë arsye kjo periudhë është shoqëruar edhe me blerje energjie nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, teksa sipas përllogaritjeve të TV SCAN për 3-mujorin në total u shpenzuan 83 mln euro për blerjen e energjisë. Ndërkaq, këto shifra nxjerrin edhe njëherë në pah varësinë që ka vendi ynë nga uji, si dhe nevojën për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.