Bizneset shqiptare, rritet pesimizmi për ekonominë – Barometri Ballkanik i RCC: Rreth 19% e sipërmarrësve presin të përkeqësohet situata
Xhorxhina Deda/SCAN
Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ka bërë publik Barometrin Ballkanik për vitin 2024, i cili ndahet në anketën e Opinionit Publik dhe anketën e Opinionit të Biznesit. Përgjigjet nga të anketuarit janë sistemuar, analizuar dhe prezantuar në dy raporte që bëhen publikë nga institucioni. “Scan Intel” është ndalur në Anketën e Opinionit të Biznesit duke analizuar pritshmëritë për situatën e përgjithshme ekonomike të bizneseve në vendet e rajonit gjatë 12 muajve të ardhshëm.
Pritjet në lidhje me situatën e përgjithshme ekonomike në Ballkanin Perëndimor shfaqen të zymta. Rreth 21% e të anketuarve në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor presin që situata të përkeqësohet, ndërsa 31% të tjerë presin që ajo të ringrihet. Nga të dhënat, përqindja e të anketuarve që presin përkeqësim është më e ulta në Kosovë, Serbi dhe Bosnje Hercegovinë, ndërsa kjo përqindje është më e lartë në Malin e Zi me 37%, thotë raporti. Kosovarët mbeten më optimistë për të ardhmen, pasi 41% e tyre u përgjigjën se situata e përgjithshme ekonomike do të përmirësohej në vitin e ardhshëm.
Sa i përket vendit tonë, rreth 39% e pronarëve të bizneseve të anketuar janë përgjigjur se presin që në 12 muajt e ardhshëm të përmirësohet situata e përgjithshme ekonomike në vend. Krahasuar me rezultatet e barometrit të një viti më parë shohim një përmirësim të përgjigjeve optimiste me 3 pikë përqindje. Por, nga ana tjetër, është rritur përqindja e tyre që mendojnë se situata do të përkeqësohet, nga 14% në 19% këtë vit.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.