Biznesi ul kreditë për kapital qarkullues – Financimi nga bankat u tkurr gjatë 2023 dhe norma vjetore e rritjes u ngadalësua

Muajt e parë të këtij viti kanë përforcuar tendencën e biznesit për t’ju drejtuar kredive të vogla bankare për kapital qarkullues apo nevoja likuiditeti. Treguesit zyrtarë të Bankës së Shqipërisë Flasin për ngadalësim të kredisë për biznese, i shkaktuar pikërisht nga rënia e kërkesës për kapital qarkullues, si pasojë e uljes së pasigurisë dhe e likuiditetit të lartë që ka ky segment.
Financimi i bizneseve nga bankat u tkurr gjatë tremujorit të parë dhe norma vjetore e rritjes u ngadalësua me 3.3 p.p., në 5.2%. Shtrëngimi i kushteve të kreditimit për bizneset, ecuria e mirë e aktivitetit dhe likuiditeti i lartë i bizneseve, stabilizimi i çmimeve në ekonomi dhe ulja e pasigurisë, kanë ndikuar në rënien e kërkesës për kredi për likuiditete nga bizneset.
Në terma vjetorë, kredia për sektorin privat u rrit me 8.5%, nga 10.6% që shënoi në fund të vitit të kaluar. Kjo ecuri u përcaktua si nga disbursimet më të ulëta ashtu edhe nga shlyerjet e larta të kredive të bizneseve. Krahasuar me fundin e vitit, portofoli i kredisë u rrit me 3.2 miliardë lekë, duke shënuar një rikthim të sjelljes sezonale të aktivitetit kreditues në tremujorin e parë, – ndryshe nga sa ndodhi një vit më parë. Ngadalësimi i kredisë për sektorin privat reflekton si dobësinë e kreditimit në lekë ashtu edhe të asaj në valutë, të cilat u rritën përkatësisht me 4.9% dhe 12.3%, ose përkatësisht rreth 1.5 p.p. dhe 2.9 p.p. më pak se në tremujorin e kaluar.
Lorenc Rabeta/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.