“Boom” aplikimesh për centrale diellore – Dorëzohen 5 kërkesa të reja në MIE. Nuk përfitojnë nga masat mbështesëse
Viti 2024 ka shënuar interes të lartë nga investitorët për centrale fotovoltaike. Vetëm së fundmi pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë janë dorëzuar 5 aplikime te reja, njëri prej të cilëve parashikon ndërtimin e një centrali të madh.
Referuar interesit të shprehur pranë këtij dikasteri, fuqia e instaluar e këtij të fundit parashikohet në 95 MW, me vendndodhje në Zonën e Fshatit Rrashkull, Kavajë. Ndërkohë që, 3 aplikimet e tjerë janë për centrale të vegjël deri në 2 MW.
Në rast të finalizimit të procedurave, këto projekte nuk do të jenë përfituese të masave mbështetëse të qeverisë, që përfshijnë lehtësim në sigurimin e dokumentacionit apo blerje të garantuar të energjisë së prodhuar.
Interesi për investime në energji diellore ka disa vite që ka ardhur në rritje nga ana e investitorëve privatë, ndërkohë që një pjesë e kërkesave janë pranuar, ndërsa të tjera jo. Ajo çka shënoi një hap përpara ishte hyrja në prodhim e centralit fotovoltaik në Karavasta.
Ky park ka një fuqi të instaluar prej 140 MW dhe është impianti i parë i madh diellor që hyn në prodhim, duke bërë që kapaciteti total i instaluar të arrijë në 193 MW.
Deri më tani, në funksion kanë qenë 19 impiante të vegjël, me kapacitet nga 2 MW, një impiant 10 MW, si dhe impianti që ndodhet në digën e Qyrsaqit e që zotërohet nga KESH, që ka një fuqi prej 5.143 MW.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.