“Boom” investimesh nga “vizat e arta” në Greqi – Që nga viti 2017 regjistrohen 3,27 miliard euro. Në total deri në fund të qershorit 5,8 miliard
Fonde të huaja prej mbi 5 miliardë euro janë investuar në ekonominë greke për blerjen e pasurive të paluajtshme në periudhën 2017-2021, sipas të dhënave të Bankës së Greqisë. Kjo shumë shkon në gati 5.8 miliardë euro, nëse merren parasysh 788 milionë euro që janë investuar gjatë gjysmës së parë të këtij viti.
Nëse nuk do të kishte ndërhyrë pandemia, e cila e ndërpreu këtë “valë”, kjo shumë do të ishte shumë më e lartë. Megjithatë, sipas shifrave të Bankës Qendrore, gjatë periudhës 2017-2021, nga vendet anëtare të BE u investuan vetëm 1.85 miliardë euro, kundrejt 3.27 miliardë nga vendet jashtë saj, një shembull i ndikimit që pati programi i “vizave të arta”.
Ky program i veçantë hyri në fuqi në mesin e vitit 2014, por realisht filloi të jepte rezultat që nga viti 2017 e në vazhdim, kryesisht për shkak të çmimeve të ulta në treg. Aktualisht, po shqyrtohet një ndryshim në këtë program për dyfishimin e shumës minimale të investimit, për dhënien e lejes së qëndrimit, nga 250 mijë në 500 mijë euro.
Dominante është pjesa e kapitalit me origjinë kineze, që arrin në 1.2 miliardë euro nga viti 2017 deri në vitin 2021, me 437 milionë euro hyrje direkt nga Kina dhe 973 milionë euro nga Hong Kongu. 167 milionë euro të tjera janë investuar nga Singapori, një përqindje e konsiderueshme e të cilave besohet të jetë e lidhur me investitorët kinezë.
Ndër europianët, blerësit nga Qiproja janë në krye me 466 milionë euro, ndërsa ata nga Gjermania kanë investuar 312 milionë euro. Në total, që nga viti 2017, fondet franceze në tregun grek të pasurive të paluajtshme arrijnë në 200 milionë euro.
Nga Zvicra janë investuar 391 milionë euro, ndërsa blerësit britanikë kanë shpenzuar 176 milionë euro për prona në Greqi.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.