Borxhi i Britanisë arrin 100% të PBB-së – Deficiti buxhetor vazhdon të rritet duke thelluar sfidat ekonomike
Kristi Ceta/SCAN
Borxhi i qeverisë britanike goditi 100% të prodhimit ekonomik për herë të parë në dekadat e fundit dhe pati një tjetër deficit të madh buxhetor muajin e kaluar. Kjo shton problemet për ministren e financave Rachel Reeves, teksa ajo përgatit planet tatimore dhe shpenzimet.
Borxhi neto i sektorit publik, duke përjashtuar bankat në pronësi të këtij sektori, u rrit në 100% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për herë të parë që nga fillimi i regjistrimeve mujore në 1993, nga 99.3% në korrik. Të dhënat e Bankës së Anglisë tregojnë se borxhi për herë të fundit ishte në këtë nivel rregullisht në fillim të viteve 1960, kur Britania ishte ende duke u përballur me pasojat financiare të Luftës së Dytë Botërore.
Borxhi i qeverisë u rrit gjatë krizës financiare globale dhe më pas përsëri gjatë pandemisë COVID-19. Rritja e dobët ekonomike që nga ajo kohë ka kontribuuar gjithashtu në produktin e brendshëm bruto.
Qeveria mori hua 13.734 miliardë paund në gusht, 3.3 miliardë paund më shumë se në gusht të vitit të kaluar. Një sondazh i Reuters kishte treguar për një deficit prej 12.4 miliardë paundësh. Shifrat treguan një rritje të shpenzimeve aktuale dhe atyre për përfitimet sociale, duke reflektuar një inflacion më të lartë se zakonisht.
Ministrja Reeves ka paralajmëruar se taksat do të rriten në buxhetin e 30 tetorit, por ajo ka përjashtuar rritjen e normave të të ardhurave dhe taksave mbi vlerën e shtuar, duke lënë hapësirë të pakët për manovra për të përmirësuar shërbimet publike dhe për të nxitur investimet.
Deri më tani, qeveria ka marrë hua 64.1 miliardë paund gjatë pesë muajve të parë të vitit financiar 2024/25, rreth 6 miliardë paund më shumë se parashikimi i Zyrës për Përgjegjësinë e Buxhetit që u publikua në mars. Shifrat e deficitit kanë ardhur më të larta se sa pritej për secilin nga katër muajt e fundit.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.