Borxhi i “pashpresë” i tatimeve kolosal, 57% e bizneseve nuk janë më – Totali 1.1 miliardë euro, por 39% detyrime janë me “moshë” më të madhe se 5 vjet
Ndërsa viti 2022 i ka gjetur tatimet me një vlerë kolosale detyrimesh të pambledhura në vlerën e 1.1 miliardë eurove, duhet nënvizuar se një pjesë e madhe e tij rezulton i pambledhshëm. Kjo duke parë moshën e këtyre detyrimeve, pro edhe pasi një pjesë e mirë e kompanive debitore nuk ekzistojnë më.
Në fillim të vitit 2022 këto detyrime rezultojnë në vlerën rreth 134,9 miliardë lekë, ose mbi 1.1 miliardë euro, që i përket një numri prej rreth 192,701 subjektesh debitore, numër që është rritur ndjeshëm gjatë vitit të shkuar. Por nga ana tjetër, bie në sy se pjesë dërrmuese e detyrimeve janë me moshë më të madhe se 5 vjeccare.
Nga të dhënat që ka publikuar Kontrolli i Lartë i Shtetit mbi gjendej e borxhit tatimor, rezulton se referuar moshës së detyrimeve të papaguara vihet re se peshën më të madhe të stokut sipas moshës e zënë detyrimet nga 2-5 vite me peshë 39%, dhe detyrimet mbi 5 vite me peshë gjithashtu rreth 39% (pra me nivele të njëjta për të dyja këto grupe).
E shprehur në vlerë borxhi, rezulton se 52.3 miliardë detyrime janë me moshë më të madhe se 5 vjet, ndërsa 52.3 miliardë të tjera janë me moshë 2-5 vjet. Në total, 104 miliardë lekë detyrime të parapambetura, diccka më pak se 1 miliardë euro, janë me moshë më të madhe se 2 vite.
Ndërkohë që ajo e bën edhe më të pashpresë mbledhjen e këtij borxhi ka të bëjë me faktin se pjesa dërrmuese e kompanive që e kanë akumuluar, nuk ekzistojnë më, ose së paku, nuk janë më aktive. Më specifikisht, Subjektet Aktiv zënë 43% të numrit total të subjekteve debitorë me një vlerë prej 46,8 miliardë lekë, ose 35% të masës totale të borxhit. Ndërsa Subjektet më status Pasiv zënë 57% të numrit total të subjekteve debitor me një vlerë prej 88 miliardë lekë ose 65% të masës totale të borxhit.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.