BQE mbështet euron – Lagarde: Inflacioni nuk e ka prekur ende kulmin, “shtrëngimi” do të vijojë
Dollari amerikan po qëndron në rënie të lehtë në sesionin e sotëm europian, por gjatë tregtisë aziatike dhe asaj amerikane realizoi fitime të konsiderueshme për shkak të protestave kundër Covid-19 në Kinë. Gjithashtu, monedha e gjelbër u mbështet edhe nga komentet e kujdesshme të Rezervës Federale në lidhje me rritjen e interesave. Rritja e tensioneve në Kinë dhe përplasjet mes policisë dhe protestuesve bënë që investitorët të preferojnë dollarin amerikan, që cilësohet si një aset i sigurtë.
Ndërkohë, në sesionin e kaluar europian, euro u ngjit pranë 1.05 dollarëve, niveli më i lartë në 5 muajt e fundit. Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, deklaroi mbrëmjen e djeshme se inflacioni në Eurozonë nuk e ka arritur ende kulmin, që do të thotë se banka qëndrore do të rrisë më tej normat e interesit. Të dhënat për inflacionin në Eurozonë për nëntorin do të publikohen të mërkurën dhe analistët parashikojnë se do të prekë nivelin e 10.4%.
Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 106.5, ndërsa në sesionin e kaluar u rrit me 0.5%. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin ka vijuar tendencën në rënie në sesionin e kaluar, pasi huadhënësi BlockFi aplikoi për Kapitullin 11 për mbrojtje nga falimentimi. Megjithatë, në fillim të tregtisë europiane ka rikuperuar një pjesë të humbjeve dhe po tregtohet në rreth 16,400 dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1200 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.