Britania mbyll centralet me qymyr – Bëhet vendi i parë i G7 që merr këtë vendim
Kristi Ceta/SCAN
Britania do të bëhet vendi i parë i G7 që do t’i japë fund prodhimit të energjisë me qymyr me mbylljen e centralit të saj të fundit. Ky vendim do t’u japë fund mbi 140 viteve të energjisë së prodhuar me qymyr në vend.
Në vitin 2015, Londra njoftoi planet për të mbyllur fabrikat e qymyrit brenda dekadës së ardhshme, si pjesë e masave më të gjera për të arritur objektivat klimatikë. Në atë kohë, pothuajse 30% e energjisë elektrike të vendit vinte nga qymyri, por kjo shifër kishte rënë në pak më shumë se 1% vitin e kaluar.
“Mbretëria e Bashkuar ka dëshmuar se është e mundur të heqësh dorë nga energjia e qymyrit me një shpejtësi të paprecedentë,” tha Julia Skorupska, Kryetare e Sekretariatit Poëering Past Coal Alliance, një grup prej rreth 60 qeverish kombëtare që kërkojnë t’i japin fund energjisë së qymyrit.
Rënia e energjisë së qymyrit ka ndihmuar në uljen e emetimeve të gazeve serrë në Britani, të cilat janë përgjysmuar që nga viti 1990. Londra, e cila ka një objektiv për të arritur emetimet neto zero deri në vitin 2050, planifikon gjithashtu të dekarbonizojë sektorin e energjisë elektrike deri në vitin 2030, një lëvizje që do të kërkojë një rritje të shpejtë të energjisë së rinovueshme nga era dhe dielli.
Emetimet nga energjia përbëjnë rreth tre të katërtat e emetimeve totale të gazeve serrë dhe shkencëtarët kanë thënë se përdorimi i lëndëve djegëse fosile duhet të frenohet për të përmbushur objektivat e vendosura nga marrëveshja e Parisit për klimën.
Në prill, vendet e mëdha të industrializuara të G7 ranë dakord të heqin energjinë e qymyrit në gjysmën e parë të dekadës së ardhshme, por gjithashtu u dhanë pak liri ekonomive që varen shumë nga qymyri.
“Ka shumë punë për të bërë në mënyrë që objektivi i vitit 2035 të përmbushet dhe të çohet përpara në vitin 2030, veçanërisht në Japoni, SHBA dhe Gjermani,” tha Christine Shearer, Analiste Kërkimore e Global Energy Monitor. Energjia e prodhuar me qymyr ende përbën më shumë se 25% të elektricitetit në Gjermani dhe më shumë se 30% në Japoni.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.