Britania shmang me vështirësi recesionin – Vendi gjithsesi nuk regjistroi rritje ekonomike
Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar nuk tregoi rritje në tremujorin e fundit të 2022 – shit, por u tkurr me 0.5% në dhjetor, më shumë se sa pritej nga analistët. Të dhënat janë publikuar nga Zyra për Statistikat Kombëtare.
Shifrat nënkuptojnë se vendi ka shmangur një recesion – i përcaktuar zakonisht si dy tremujorë të rritjes negative – pas një tkurrjeje prej 0.2% në tremujorin e tretë. Në përgjithësi, PBB-ja u rrit me rreth 4% gjatë vitit 2022, pas një zgjerimi prej 7.6% në vitin 2021 ndërsa ekonomia u rikuperua nga pandemia Covid-19.
Niveli i PBB-së në tremujorin e fundit të vitit ishte 0.8% nën nivelin e tij para Covid në fund të 2019 – ës, që do të thotë se Mbretëria e Bashkuar është tani i vetmi vend i G-7 – ës që ende nuk ka rikuperuar plotësisht prodhimin e humbur gjatë pandemisë.
Analistët shprehen se pavarësisht se vendi ka tejkaluar një recesion teknik për momentin, rënia e PBB-së së dhjetorit konfirmon se ekonomia u ul në fund të vitit 2022, pasi masat e grevës i shtuan presion shtrëngimit ekonomik. Ata shtojnë se Mbretëria e Bashkuar po përballet me një vit veçanërisht brutal me inflacion të lartë, rritje të taksave të fshehta dhe ndikimin e vonuar të rritjeve të shumta të normave të interesit që ende ka gjasa të shtyjë ekonominë në një rënie verore duke goditur të ardhurat dhe besimin. Banka e Anglisë javën e kaluar parashikoi se ekonomia britanike do të hynte në një recesion të cekët prej pesë tremujorësh në tremujorin e parë të 2023 – shit.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.