Bujqësia merr 12.7 milionë euro më shumë – Bie mbështetja për sigurinë ushqimore dhe peshkimin
Sektori bujqësor do të ketë një buxhet prej 14.2 miliardë lekë apo 120.4 milionë euro në dispozicion për vitin e ardhshëm. Krahasuar me buxhetin fillestar të këtij vitit, fondet në dispozicion për bujqësinë, blegtorinë dhe agroindustinë kanë regjistruar një rritje prej 12.7 milionë euro.
Por cilat do të jenë prioritetet për vitin e ardhshëm dhe si do të shpërndahet buxheti? Zhvillimi rural, ku përfshihet mbështetja për prodhimet bujqësore, blegtorale dhe agroindustriale merr mbështetjen më të madhe me fonde, me rreth 8.7 miliardë lekë dhe me rritje me afro 1.7 miliardë lekë krahasuar me këtë vit.
Në këtë zë synohet rritje e punësimit në sektorin bujqësor dhe agropërpunim, volumit të eksporteve në 47.4 miliardë lekë në vitin 2023 dhe përfituesve nga skemat kombëtare nga 4800 përfitues në vitin 2022 në 5000 përfitues në vitin 2023, si dhe rritje të përfituesve nga skema e naftës falas, si rrjedhojë e financimit më të lartë.
Për sigurinë ushqimore dhe mbrotjen e konsumatorit janë vendosur në dispozicion 2.1 miliardë lekë, ku pavarësisht rëndësisë dhe nevojës që ka ky drejtim për më shumë vëmendje, vihet re një rënie e lehtë e financimeve të planifikuara përgjatë 2023-shit.
Nga ana tjetër janë rritur fondet për infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit, ku do të shkojnë rreth 2 miliardë lekë. Në këtë zë, synohet që përqindja e hidrovoreve të rehabilituara/ndërtuara/rikonstruktuara, kundrejt totalit të nevojshëm (14hidrovorë) nga 57% në vitin 2022 të shkojë 64% në vitin 2023. Ndërkohë, ulje fondesh ka pasur edhe për sektorin e peshkimit, këshilliminin dhe informacionin bujqësor.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.