Bursa e energjisë, dalin rregullat e operimit – Anëtarësimi, vetëm për të licencuarit nga ERE. Pritet përcaktimi i tarifave
Teksa pritet nisja e funskionimit, Bursa Shqiptare e Energjisë ka depozituar pranë Entit Rregullatr të Energjisë dokumentet, që rregullojnë veprimatrinë e saj, duke i hapur rrugë tregtimit të energjisë përmes këtij instrumenti.
Këtu përfshihen procedura e klerimit dhe shlyerjes, procedura e tregtimit si dhe rregullat, mbi bazën e të cilëve do të funksionojë Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike. Këto të fundit specifikojnë ndër të tjra hapat dhe kushtet që duhet të plotësojnë anëtarët e tregut për t’u listuar në bursë e për të kryer transaksione përmes saj.
Sipas dokumentit, anëtarë të bursës mund të jenë subjektet juridike që disponojnë të gjitha autorizimet dhe licencat përkatëse (ose janë përjashtuar nga detyrimi për të pasur një licencë të tillë) për tregtimin e energjisë elektrike.
Këtu përfshihen Prodhuesit. Furnizuesit, Tregtarët, Klientët, mbajtës të një Licence për Konsum vetjak (nëse do të jetë rasti), Operatorët e Sistemit të Transmetimit. Operatorët e Sistemit të Shpërndarjes, Furnizuesi i Shërbimit Universal, si dhe Operatori i Energjisë së Rinovueshme. Për t’u anëtarësuar duhet të depozitohet aplikimi së bashku me dokumentet mbështeëse, ndërkohë që çdo pjesëmarrës do të duhet të pagujanë një tarifë, vlera e së cilës nuk është përcaktuar ende.
Në fund të muajit shtator, pas një sërë shtyrjesh, Enti Rregullator i Energjisë licencoi Bursën, në veprimtarinë e operimit të tregut të energjisë elektrike. Licenca do të ketë një kohëzgjatje 5-vjeçare, ndërkohë që parashikimet janë që nisja e operimeve të jetë këtë muaj për tregun e ditës në avancë, ndërkohë që në muajin janar 2023 parashikohet të nisë tregtimi për tregun e Kosovës dhe bashkimi i të dy tregjeve Shqipëri – Kosovë. Gjithsesi, deri më tani nuk është njoftuar data konkrete, për nisjen e transaksioneve.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.