Bursat europiane, me volum të ulët tregtar – Investitorët bëjnë bilancin në fund të tremujorit të tretë të vitit
Bursat europiane janë hapur me ndryshime të vogla në sesionin e sotëm, pasi investitorët po e cilësojnë një sesion pauzë për shkak se është dita e fundit e tremujorit të tretë të vitit. Megjithatë, tregjet globale të aksioneve vijojnë të karakterizohen nga paqëndrueshmëria për shkak të ngadalësimit të ekonomisë globale, si pasojë e shtrëngimit të politikave monetare nga bankat qëndrore më të mëdha të botës.
Në Wall Street, shitja e aksoneve vijoi edhe të enjten, me tre indekset kryesore që u mbyllën në territor negativ. Edhe bursat në rajonin e Azi-Paqësorit e mbyllën në rënie sesionin e fundit të javës, pavarësisht se të dhënat në Kinë treguan një zgjerim surprizë të aktivitetit të fabrikave gjatë gushtit.
Fokusi i investitorëve do të jetë në Europë, pasi do të publikohen të dhënat mbi inflacionin për shtatorin. Ekonomistët parashikojnë se çmimet do të jenë rritur me 9.7%, që do të jetë një rekord i ri.
Paqëndrueshmëria në tregje është ndikuar edhe nga ndërhyrja e Bankës së Anglisë në tregun e bonove për të parandaluar zhvlerësimin e paundit. Indeksi pan-Europian STOXX 600 është hapur në rënie të lehtë me 0.2%.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.