Bursat europiane, në rënie të lehtë – Të dhënat në SHBA rikthejnë skenarin e rritjes së normës bazë me 0.75 pikë përqindje
Tregjet europiane po ndryshojnë minimalisht në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët po presin të tjera të dhëna ekonomike për tu ripozicionuar në bursa. Indeksi pan-Europian STOXX 600 e ka nisur ditën në rënie të lehtë me 0.2% të vlerës.
Edhe shumica e tregjeve në rajonin e Azi-Paqësorit patën një performancë mikse, ndërsa në Ëall Street tregu u përball me një shitje masive të aksioneve. Për shkak të të dhënave pozitive mbi ekonominë amerikane, analistët vlerësojnë se Rezerva Federale mund të rrisë agresivisht normat e interesit në takimin e 13 dhe 14 dhjetorit. Aktualisht tregjet vlerësojnë një rritje me 50 pikë bazë, por mund të jetë edhe me 75 pikë bazë.
Gjatë këtij viti, ndërkohë, sektori i teknologjisë në indeksin Nasdaq ka humbur mbi 26% të vlerës, pikërisht për shkak të rritjes së kostove të huamarrjes nga Rezerva Federale. Investitorët po presin edhe të dhënat që do të publikohen më vonë gjatë ditës së sotme për kërkesën industriale në Gjermani.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.