Bursat europiane, në rritje të lehtë – Tregjet presin sinjale mbi politikat që do të ndjekë Rezerva Federale
Bursat europiane janë hapur me ndryshime të vogla në sesionin e sotëm, pasi investitorët po presin më tepër të dhëna mbi ekonominë amerikane, për të përcaktuar politikat që do të ndjekë Rezerva Federale. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rritje me 0.2%, ndërsa lëndët e para realizojnë fitimet më të mëdha, në rritje me mbi 1%.
Gjatë javës së kaluar, tregjet globale gjetën një mbështetje nga të dhënat mbi inflacionin në SHBA, që treguan një ngadalësim të rritjes së çmimeve, gjatë tetorit. Ndërkohë, banka zvicerane, UBS parashikon një rënie të ndjeshme të inflacionit gjatë vitit 2023.
Në një shënim për klientët e saj, UBS shprehet se përmirësimi i zinxhirit të furnizimit dhe rritja e rezervave do të ndikojë në rënien e çmimeve, gjatë vitit të ardhshëm. Gjithashtu, investitorët po presin edhe të dhënat mbi prodhimin industrial në Eurozonë për shtatorin, që do të publikohen në vonë gjatë ditës së sotme.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.