CEFTA vazhdon të zgjerojë Korridoret e Gjelbërta me Bashkimin Evropian
Java tradicionale e CEFTA-s po mbahet këtë vit në Bruksel, ku në fokus është bashkëveprimi i politikës tregtare, integrimi rajonal, duke u përqëndruar në rëndësinë e lehtësimit të tregtisë në rajon dhe ndërlidhjet midis tregtisë dhe bashkëpunimit mes komunitetit të biznesit.
Konferenca qendrore e CEFTA, “ Një hap drejt Tregut Unik të BE-së”, do të mbahet të premten, më 9 dhjetor, ku Administratat doganore të Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë dhe Malit të Zi do të nënshkruajnë Memorandume Mirëkuptimi, duke zgjeruar më tej Korridoret e Gjelbërta CEFTA-TCT me Bashkimin Evropian.
Zgjerimi i iniciativës drejt vendeve anëtare të BE-së filloi në korrik të këtij viti me vendosjen e shkëmbimit elektronik të të dhënave ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe vazhdoi në shtator me vendosjen e Korsive Blu ndërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë. Nisma mundëson përshpejtimin e procedurave doganore dhe formaliteteve të tjera në vendkalime dhe lehtëson eksportin e CEFTA-s, pasi sistemi SEED+ lidh administratat doganore të Palëve CEFTA dhe Bashkimin Evropian.
Drejtori i Sekretariatit të CEFTA-s, Emir Đikić, theksoi se përfitimet kryesore të projektit SEED-fleksibilitetin dhe përshtatshmërinë ndaj nevojave të administratave doganore që e përdorin atë për të zvogëluar formalitetet gjatë transportit të mallrave.
“Përveç reduktimit të kohës së pritjes në vendkalime, lehtësimit efektiv të transportit dhe tregtisë, reduktimit të kohës së pritjes, bizneset tani marrin mundësi të reja për të përdorur më mirë zinxhirët e furnizimit të integruar me tregun e BE-së. Të gjitha këto janë përfitime të mëdha dhe të qëndrueshme për njerëzit e Ballkanit Perëndimor dhe flukset tregtare nga rajoni i CEFTA-s drejt BE-së”, tha Djikic.
Znj. Jeta Deda Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ushqimit deklaroi “Shqipëria mbështet projektin SEED+, i cili synon të lehtësojë tregtinë duke përdorur sistemin CEFTA Traces NT për lëshimin e dokumenteve për import/eksportin e produkteve bimore, me origjinë shtazore, kafshëve të gjalla dhe produkteve jo me origjinë shtazore. Ky sistem kontrolli na ndihmon në procesin e ndjekjes së produkteve që importohen dhe eksportohen përmes CEFTA-s”.
“Korridoret e Gjelbër, si një mjet i rëndësishëm që mbështet integrimin e qetë dhe efikas të tregtisë dhe transportit të Palëve të CEFTA-s me vendet fqinje të BE-së, kanë dëshmuar se kanë një potencial të rëndësishëm për bashkëpunim ndërmjet agjencive doganore. Në këtë këndvështrim, Memorandumet e Mirëkuptimit do të na ofrojnë instrumentin e nevojshëm për lehtësimin e mëtejshëm të tregtisë legjitime, duke garantuar sigurinë e saj dhe reduktimin e tregtisë së paligjshme. Paralelisht, do të thellojë më tej bashkëpunimin tonë doganor me Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi, plotësisht në përputhje me legjislacionin doganor të BE-së”, tha Mario Demiroviq, drejtor i Administratës Doganore të Kroacisë.
“Kam kënaqësinë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit për shkëmbimin elektronik të të dhënave ndërmjet Administratës së të Ardhurave dhe Doganave të Malit të Zi dhe Administratës Doganore të Republikës së Kroacisë në kuadër të iniciativës për zgjerimin e korsive të gjelbra ndërmjet Malit të Zi dhe Kroacisë. Nënshkrimi i këtij memorandumi synon forcimin rrjetin e partnerëve, duke reduktuar mashtrimet doganore, përshpejtimin e procedurave doganore në vetë kufirin, si dhe thjeshtimin dhe lehtësimin e trafikut rrugor midis dy vendeve tona.
Me nënshkrimin e këtij memorandumi, si dhe të memorandumit të nënshkruar më parë me Agjencinë Italiane të Akcizave, Doganave dhe Monopoleve, më 9 shtator 2022, Administrata e të Ardhurave dhe Doganave e Malit të Zi ka dhënë kontributin e saj të plotë në bashkëpunimin ndërmjet shërbimeve doganore, që kanë detyrë dhe mision kryesor sigurimin e ekuilibrit të nevojshëm ndërmjet mbrojtjes së shoqërisë, nga njëra anë dhe lehtësimit të tregtisë, nga ana tjetër. Ne shpresojmë që pas përfundimit të fazës 1 të dërgimit të njëanshëm të të dhënave nga Mali i Zi në Itali dhe Kroaci, shkëmbimi i të dhënave do të zbatohet në drejtim të kundërt dhe shpresojmë që shtetet anëtare të BE-së të udhëhequra nga DG TAXUD do të na ndihmojnë në përcaktimin e një kuadri të duhur ligjor për të mbështetur këtë. Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar SEED+ dhe Sekretariatin e CEFTA-s që na kanë mbështetur në këtë proces që nga fillimi”, tha z. Vladimir Bulajić, Drejtor i Administratës së të Ardhurave dhe Doganave të Malit të Zi.
“Si një vend që pret të bëhet së shpejti një vend kandidat për në BE, Bosnja dhe Hercegovina është e vendosur të marrë të gjitha masat brenda shërbimit doganor për të lehtësuar trafikun rrugor në korridoret e gjelbra dhe për të përshpejtuar procedurat doganore. Nga njëra anë, kjo do të përshpejtojë transportin e mallrave dhe të jetë një ndihmë e rëndësishme për të gjithë të obliguarit që operojnë në përputhje me rregulloret ligjore. Nga ana tjetër, me një analizë adekuate të rrezikut, shërbimi doganor i Bosnjë-Hercegovinës vazhdon të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me luftën kundër mashtrimit doganor”. – deklaroi znj. Zagorka Gojkoviq, shefe e Departamentit për IPR, Ndalime dhe Kufizime, Sektori i Doganave.
“Sekretariati TCT mirëpret nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit dhe përgëzon vendimin vizionar të marrë nga drejtorët e autoriteteve doganore të Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi. Kjo paraqet një hap drejt kufijve të menaxhuar edhe më mirë dhe çon në uljen e kohës së pritjes për transportin e mallrave. TCT vazhdon të mbështesë të gjitha palët për zgjerimin e plotë të Korsive të Gjelbërta, dhe deri sa të vendosen të gjithë komponentët”, tha drejtori Matej Zakonjsek.
Së bashku me këto marrëveshje të rëndësishme, Sekretariati i CEFTA-s dhe Agjencia Italiane e Akcizave, Doganave dhe Monopoleve nënshkruan një marrëveshje partneriteti, e cila specifikon dispozitat e bashkëpunimit në zbatimin e aktiviteteve SEED+ me Palët e CEFTA-s.
Sipas z. Marcello Minenna, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Italiane të Akcizave, Doganave dhe Monopoleve: “Ballkani Perëndimor është një rajon themelor për Italinë dhe për Bashkimin Evropian siç është deklaruar në shumë raste nga institucionet evropiane. Ne gjithashtu besojmë se procesi i zgjerimit duhet të inkurajohet. Kjo është arsyeja kryesore pse jam i nderuar që kam dhënë kontributin e Agjencisë në këtë proces. Pas gati njëzet vjetësh, mendojmë se është koha për të dhënë një mesazh të qartë për të arritur një integrim më të fortë midis ekonomive të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Përpjekjet tona shkojnë në atë drejtim”.
Në kuadër të Javës CEFTA 2022, më 8 dhjetor do të mbahet Takimi i Nivelit të Lartë SEED+ “Arritjet, Sfidat dhe Rruga përpara”, ku do të mblidhen drejtorët e doganave, agjencive veterinare, fitosanitare dhe agjencive për barna, për të bërë një bilanc të progresit të SEED+ në përmirësimin e shkëmbimit të të dhënave doganore dhe në gjenerimin, përpunimin dhe shkëmbimin e certifikatave fitosanitare, veterinare dhe farmaceutike dhe dokumenteve të hyrjes, duke përfshirë e-certifikatat, duke e afruar CEFTA-n me tregtinë pa letra.
Sipas znj. Lidia Ababi, Zëvendës Drejtoreshë e Shërbimit Doganor në Moldavi dhe Kryetare e Komitetit të Lehtësimit të Tregtisë së CEFTA-s së: “Administrata doganore është një zonë që është vazhdimisht në fazën e modernizimit dhe kjo kërkon një qasje proaktive në të gjitha masat e marra për të ruajtur ekuilibrin ndërmjet lehtësimit të tregtisë dhe sigurisë, veçanërisht përmes dixhitalizimit të procedurave doganore për të arritur një mjedis pa letra për tregtinë. Prandaj, Plani SEED+ luan një rol vendimtar, pasi shkëmbimi i të dhënave lehtëson tregtinë, por edhe analizat dhe menaxhimin e rrezikut.”
“Duke marrë parasysh përvojën pozitive të Korridoreve të Gjelbërta në kuadër të CEFTA-s, në korrik të këtij viti ne nënshkruam një Memorandum mirëkuptimi për shkëmbimin elektronik të të dhënave me Republikën e Greqisë dhe me atë në pikën kufitare Bogorodicë – Evzoni kemi krijuar Korridorin e Gjelbër të parë me një shtet anëtar të BE-së. Rezultatet dhe efektet e këtij shkëmbimi janë duke u vlerësuar edhe nga Komisioni Evropian, me qëllim që kjo përvojë të zbatohet mes vendeve të tjera të rajonit dhe vendeve fqinje të BE-së”, tha drejtori i Administratës Doganore në Maqedoninë e Veriut, Slavica Kutirov.
“SEED+ Action këtë vit themeloi CEFTA TRACES (Sistemi i Kontrollit të Tregtisë dhe Ekspertëve) me qëllim për të siguruar gjurmueshmërinë, shkëmbimin e informacionit dhe menaxhimin e riskut. Pas vendimit strategjik për të vazhduar përdorimin e softuerit tonë fitosanitar, ne pilotuam sistemin për integrimin e sistemit duke shkëmbyer të dhëna të certifikatave fitosanitare. Këto të dhëna tani mund të përdoren për lehtësimin dhe përshpejtimin e lëshimit të dokumenteve tona si CHED-PP, si dhe për verifikim.” thotë Ivan Tomasev, shef i Departamentit të Inspektimit Fitosanitar, Drejtoria për Mbrojtjen e Bimëve në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave.
Sulltane Havolli, Drejtore e Departamentit të Autorizimit të Marketingut në Agjencinë për Produkte dhe Pajisje Mjekësore në Ministrinë e Shëndetësisë deklaroi: “Ne besojmë fuqimisht se zbatimi i projektit SEED+ do të sjellë ndikim pozitiv në lehtësimin e tregtisë dhe menaxhimin e rrezikut. Aksioni mbështet shkëmbimin e të dhënave për lejet e tregtimit të barnave me substanca të kontrolluara dhe kjo është shumë e rëndësishme duke pasur parasysh implikimin e këtyre dokumenteve në shkëmbimin tregtar. Lehtësimi i procedurave përmes dixhitalizimit do të ndihmojë synimet tona drejt tregut të përbashkët rajonal si një hap fillestar drejt tregjeve të BE-së.”
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.