Çelen mbi 8.700 biznese të reja në 7 muaj – Rritet numri i iniciativave private krahasuar me 2021-shin
Ekonomia shqiptare ka përformuar pozitivisht gjatë 7 muajve të parë të këtij viti, jo vetëm në kahun e rritjes së të ardhurave por edhe sa i takon aktivitetit të bizneseve.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave përgjatë periudhës Jana-Korrik 2022 janë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit 11.376 subjekte të reja dhe janë çregjistruar 2629. Numri i regjistrimeve është më i lartë dhe ai i subjekteve që kanë ulur qepenat është më i ulët se një vit më parë.
Kështu rezulton se përgjatë kësaja periudhe janë hapur në total 8747 biznese neto, nga 7501 të tilla që u regjistruan në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 1246 biznese më shumë. Po të marrim në konsideratë situatën në të cilën ndodhet vendi, kur çmimet e produkteve dhe të shërbimeve si edhe kostot për bizneset janë rritur së tepërmi, duket se nuk është vënë re një stepje në drejtim të iniciatvave të reja të vetëpunësimit.
Kjo vjen për shkak edhe se në kushtet e rritjes së kostove të përgjithshme, shumë biznese ekzistuese nuk kanë bërë ndryshime pagash tek punonjësit, çka i nxit ata në ndërmarrjen e inciativave të tilla me qëllim përballimin e çmimeve të larta.
Ndërkaq, numri i biznesve aktive ka ardhur në rritje graduale, ku tashmë rezultojnë 124.550 subjekte që ushtrojnë normalisht aktivitet ekonomik në vendin tonë. Ndikim ka pasur edhe hapja e ekonomisë në tërësi gjatë vitit që lam pas, orientimi drejt teknologjisë si dhe programet e vetëpunësimit të aplikuara nga qeveria, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që humbën vendet e punës gjatë pandemisë për shkak të masave kufizuese anticovid.
Shërbimet dhe shitja me pakicë janë sektorët ku janë përqendruar më së shumti subjektet e çelura rishtazi. Ecuria e deritanishme si dhe parashikimet e qevrisë tregojnë se ky vit pritet të mbyllet pozitivisht për ekonominë.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.