Centrali më i madh diellor në botë – Projekti australian do të furnizojë 3 mln shtëpi me energji elektrike
Kristi Ceta/ SCAN
Australia do të ndërtojë plantacionin më të madh të energjisë diellore në botë. Ky projekt revolucionar, i quajtur Power Link, do të prodhojë mjaftueshëm energji elektrike për të furnizuar rreth 3 milionë shtëpi.
Iniciativa, e miratuar së fundmi nga qeveria australiane, do të realizohet nga SunCable, një kompani e energjisë së rinovueshme.
E vendosur në territorin verior të Australisë, plantacioni diellor do të mbulojë një sipërfaqe prej 12,000 hektarësh. Ky projekt masiv pritet të sjellë më shumë se 20 miliardë dollarë përfitime ekonomike në rajon, duke krijuar një mesatare prej 6,800 vendesh pune direkte dhe indirekte çdo vit gjatë fazës së ndërtimit.
Numri i punonjësve do të arrijë në 14,300 vende pune, me këto shifra që llogarisin periudhën e ndërtimit të projektit dhe 35 vitet e para të funksionimit.
Power Link është projektuar për të prodhuar 4 GW energji elektrike në orë për konsumin vendas, me një shtesë prej 2 GW që do të eksportohen përmes një kablli nënujor në Singapor, duke plotësuar rreth 15% të nevojave energjetike të qytet-shtetit. Projekti do të ketë gjithashtu një kapacitet të konsiderueshëm të ruajtjes së baterive, deri në 40 GW.
Vendimi përfundimtar i investimit për projektin Power Link pritet të merret në vitin 2027, me furnizimin me energji që pritet të fillojë në fillim të dekadës së ardhshme.
Qeveria australiane ka si objektiv kryesor të bëhet lider botëror në energjinë e gjelbër. Vendi, i cili në vitin 2022 kishte një prodhim total të energjisë elektrike me 32% nga energjitë e rinovueshme dhe 47% me anë të qymyrit, po punon shumë për të arritur qëllimin për zero emetime neto deri në vitin 2050. Në vitet e fundit, Australia është goditur veçanërisht nga efektet e ndryshimeve klimatike, si zjarret dhe përmbytjet.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.