Çfarë cilësie ka vaji i ullirit shqiptar? – Sipas një renditje globale: Ndër më të dobëtat!
Shqipëria si pjesë e mesdheut ka një traditë mjaft të vjetër të prodhimit të ullirit dhe vajit të tij, por vitet e fundit ka marrë akoma më shumë vëmendje për shkak të potencialit që ka në ekonominë e vendit sa i përket të ardhurave që gjeneron. Por si renditet vaji i ullirit, i cili prodhohet në Shqipëri, krahasuar me vendet e tjera? Renditja Botërore EVOO, e cila është krijuar për të promovuar për konsumatorët produktet më të vlerësuara në botë, ka ekzaminuar 18,312 mostra të vajit të ullirit nga 38 vende prodhuese të ullirit ku mes tyre gjendet edhe vendi ynë. Nga këto 38 shtete prodhuese të vajit të ullirit, Shqipëria renditet në vend të 32-të duke u vlerësuar me 157.50 pikë për vitin 2022. Sipas të dhënave të raportit, Shqipëria ka 4 çmime të fituara sa i përket shijes dhe cilësisë së vajit të ullirit.
Në krye të renditjes për vitin 2022 qëndron Italia me vajin më të mirë të ullirit, duke grumbulluar 84,738 pikë dhe me 1,971 çmime të fituara. Në vend të dytë në botë renditet Spanja me 63,007 pikë dhe me 1,393 çmime, ndjekur nga Greqia në vend të tretë më 53,830 pikë. Sa i përket vendeve të fundit gjejmë të renditur Kazakistanin, Azerbajxhanin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndërkohë, Malta dhe Bosnje Hercegovina renditen pas Shqipërisë përkatësisht në vend të 33-të dhe 34-tët.
Referuar po të dhënave të INSTAT sa i përket prodhimit të ullinjve, në vitin 2021 është regjistruar në 110.164 tonë, duke pësuar një rënie karahasuar me vitin 2020 prej 16.5%. Ullinjtë e kultivuar janë në dy varietete kryesore, ullinjtë varietet për vaj që përfaqësojnë 87,6% të prodhimit ullirit dhe ullinjtë varietet për tavolinë që zënë 12,4%. Nga ana tjetër, sa i përket vitit që sapo lamë pas, biznesi vendas është shprehur se ka pasur një mbiprodhim, thuajse 4 herë më të lartë të vajit të ullirit. Pra, sipas këtij raporti, cilësia e vajit të ullrit shqiptar është ndër më të dobëtat në botë.
Pra nisur nga këto shifra duket se tregu ka mbiprodhim të vajit të ullirit, por referuar renditjes ciliësia nuk është më e mira. Këtë e vërteton edhe varësisa nga importet për këtë produkt. Përpos prodhimit të vajit “Made in Albania” një peshë të konsiderueshme zë edhe produkti i importit. Aktualisht, shumica e vajtit të ullirit vjen nga Italia, si vendi i parë më i madh për importin e vajit të ullirit për Shqipërinë, ndërsa Greqia renditet e dyta.
Xhorxhina Deda/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.