Çfarë përdorim më shumë për të komunikuar? – Internet, apo minuta? 5.4% më pak thirrje dalëse në tremujorin e dytë 2024
Ledina Elezi/SCAN
Shqiptarët po përdorin më shumë internet sesa minuta për të komunikuar me të afërmit dhe miqtë e tyre. Të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare tregojnë se në tremujorin e dytë janë regjistruar volume më të larta të internetit, kjo për arsye edhe të përdorimit më të madh të rrjeteve sociale. SMS-të standarde kanë shënuar gjithashtu rritje në këtë tremujor.
Por, sa internet, SMS dhe minuta dalëse konsumojmë mesatarisht në muaj?
Konsumi mesatar mujor për përdorues aktiv i shërbimeve celulare gjatë tremujorit të dytë ishte 127 minuta dalëse, 13 SMS dhe 8.78 GB Internet. Krahasuar me tremujorin e parë 2024, konsumi mesatar i thirrjeve pati një rënie me 5.4%, konsumi i SMS-ve pati një rritje me 6.3%, ndërsa ai i internetit pësoi rritje me 3.9%.
Nga ana tjetër, numri i mesazheve SMS të dërguara nga pajtimtarët e rrjeteve celulare në periudhën mars-qershor ishte rreth 100 milionë, që përbën një rritje me 8.2% krahasuar me muajt e parë të këtij viti dhe një rënie me 6.2% me tremujorin e dytë të 2023-it.
Totali i thirrjeve dalëse të gjeneruara nga pajtimtarët celularë në Shqipëri ishte rreth 970 milionë minuta, me një rënie prej 3.7% në krahasim me tremujorin paraardhës dhe një rënie prej 13.1% me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sasia e thirrjeve drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare (off-net) u ul me 5.2% në krahasim me tremujorin e parë 2024 dhe me 13.8% në krahasim me një vit më parë. Sasia e thirrjeve on-net shënoi një rënie me 3.1% llogaritur me muajt e parë të 2024-ës dhe një rënie me 12.6% vlerësuar me periudhën mars-qershor 2023.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.