Çfarë u tha në takimin e minstrave të Transportit në Budapest? – Balluku: Ndamë shqetësimet dhe diskutuam për projektet e përbashkëta
Diamila Leka/ Scan
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë një prononcimi për mediat, njoftoi mbi takimin e ministrave të Transportit në Hungari. Sipas Ballukut, në këtë takim konstruktiv, ashtu sikurse e konsideroi, u diskutuan çështje të rëndësishme, siç është konkurrenca që krijohet përmes ndërlidhjes së transportit dhe sidomos atij hekurudhor.
“Ndava me këtë tryezë të nivelit të lartë shqetësimet që ne kemi përsa i përket financimeve që vijnë nga Bashkimi Europian dhe kohës. Koha që është komponenti më i rëndësishëm për zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sigurisht ne vlerësojmë maksimalisht të gjithë mbështetjen financiare që Bashkimi Europian po jep përmes projekteve të ËBIF, përsa i përket ndërtimit të hekurudhave në rajonin tonë, pjesë e Korridoreve të VIII dhe të X, por nga ana tjetër ajo për të cilën ne shqetësohemi dhe këtu i referohem të gjithë vendeve tona fqinje, është koha e gjatë dhe burokracia që merr një projekt për t’u realizuar.”
Ndërkohë, ajo çka është diskutuar tjetër janë dhe projektet e përbashkëta të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, siç është Korridori i tetë apo Korridori i dhjetë.
“Kemi arritur që të diskutojmë për ecurinë e një nga projekteve tona më të rëndësishme kombëtare, atë që do të lidhë Shkodrën me Gjakovën, hekurudhën e re, që do të bëhet më pas pjesë e Korridorit të X, duke i dhënë kështu Shqipërisë dy aksese, në Korridorin e VIII përmes Maqedonisë së Veriut dhe në Korridorin e X përmes Kosovës.”
Në këtë takim u diskutuan dhe çështje të tjera të BE, siç është dekarbonizimi apo mbi të gjitha projektet të cilat shërbejnë jo vetëm zhvillimin lokal, por atë rajonal dhe më gjerë në Europë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.