Cikli shtrëngues i BQE, drejt fundit – Lufta kundër inflacionit shënon kapitullin e fundit
Banka Qendrore Europiane ka kaluar nëpër pjesën më të madhe të shtrëngimit të politikës së saj monetare për të rikthyer inflacionin në objektivin afatmesëm prej 2%, megjithëse cikli nuk ka përfunduar ende. Deklarata u bë nga zv/presidenti i BQE – së Luis de Guindos, i cili shtoi se kanë mbetur ende disa hapa.
Menjëherë pas komenteve të tij, presidentja e BQE-së Christine Lagarde tha se inflacioni i zonës së euros mbetet shumë i lartë, kështu që bëhet i nevojshëm shtrëngimi i mëtejshëm i politikës së Bankës Qendrore Europiane.
BQE ka rritur normat me ritmin e saj më të shpejtë gjatë vitit të kaluar për të luftuar inflacionin e lartë, duke ngadalësuar gjithçka nga tregu i banesave, te ndërtimet dhe shpenzimet konsumatore.
Shumë politikëbërës dhe investitorë financiarë presin dy rritje të tjera të normës së BQE-së në muajt e ardhshëm, duke e çuar normën e depozitave në 3.75% deri në korrik. Megjithëse de Guindos nuk sqaroi përmasat ose numrin e saktë të rritjeve të mundshme të normave të interesit, ai la të kuptohet për rritje të mëtejshme prej 25 pikë bazë.
De Guindos tha se të dhënat e fundit nga Spanja, Franca, Italia dhe Gjermania ishin inkurajuese dhe tregojnë se inflacioni po zbret, edhe pse ulja e inflacionit bazë është më e ngadaltë.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.