Cilat bashki e nisën vitin me rritje borxhesh? – Pushteti vendor mban mbi “shpatulla” 55 milionë euro detyrime të prapambetura
Elisabeta Dosku/ SCAN
Pushteti vendor ka rritur stokun e detyrimeve të prapambetura gjatë tremujorit të parë të vitit me 0.7 miliardë lekë.
Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në fund të Marsit 2024, pushteti vendor regjistron një stok borxhi të papaguara kundrejt bizneseve dhe qytetarëve në vlerën e rreth 5.5 miliardë lekëve.
Afro 2.8 miliardë lekë janë detyrime të papaguara për investime publike, rreth 385 milionë lekë vendime të gjykatave dhe 1.2 miliardë lekë shpenzime të tjera.
Por cilat janë bashkitë që kanë më shumë detyrime? Referuar listës, vlera e borxheve që kanë bashkitë nuk lidhet domosdoshmërish me sipërfaqen e tyre apo numrin e popullsisë, përveç Bashkisë së Tiranës.
Konkretisht në vendin e parë renditet Bashkia Tiranë me 1.17 miliardë lekë detyrime të papaguara, e ndjekur nga bashkia Kavajë me 818 milionë lekë borxhe, më pas renditet bashkia Durrës, detyrimet e secilës regjistrohen në 421 milionë lekë, Bashkia Vorë me 363 milionë lekë dhe Lezhë me 334 milionë lekë.
Më pas renditen bashkitë, Pogradec, Dimal, Dibër , Kamëz dhe Elbasan. Ndërsa në fund të listës së bashkive sa i takon vlerës së borxheve renditen bashkitë Pustec, Has, Kolonjë dhe Korçë. Referuar të dhënave, ka nga ato bashki që kanë bërë përparim në drejtim të shlyerjes së detyrimeve duke dalë nga top lista, siç ka edhe nga ato që kanë bërë të kundërtën.
Konkretisht bashkitë Tiranë, Kavajë, Durrës, Lezhë, Pogradec, Dibër, Elbasan, e kanë nisur vitin me rritje të stokut të detyrimeve në raport me fundin e vitit 2023. Rritje kanë shënuar edhe bashki të tjera, por vlera e detyrimeve është e papërfillshme.
Pavarësisht luhatjeve tremujorësh, ndër vite pushteti vendor ka përparuar në drejtim të uljes së stokut të detyrimeve të prapambetura.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.