Cilat janë 9 projektet hekurudhore me vlerë 2 miliardë euro? – 137 prioritete në listën unike. Nga digjitalizimi i shërbimeve, tek sistemi i kamerave
Elisabeta Dosku/ SCAN
Qeveria shqiptare ka miratuar listën unike të 137 projekteve të konsideruara me rëndësi kombëtare. Lista e publikuar në Fletoren Zyrtare, i ka të kategorizuara projektet të cilat kapin vlera të konsiderueshme monetare, sipas nivelit të prioritetit që kanë në A, B dhe C.
Projektet me nivel prioriteti A, pra që konsiderohen si më të rëndësishmet për t’u vënë në zbatim, prekin sektorë të ndryshëm. Konkretisht disa prej tyre më me ndikim janë, digjitalizimi i shërbimeve të vendore të qeverisjes lokale dhe sistemi elektronik i prokurimit me inteligjencë artificiale, projekt që ka një vlerë prej 80 milionë euro.
E-qeverisja, apo zgjerimi i shërbimeve që ofrohen online për qytetarët përmes portalit qeveritar e-albania, parashikohet të kushtojë 66 milionë euro. Identiteti digjital për shtetasit shqiptarë, është një tjetër projekt që do të vendoset në jetë dhe që kap një vlerë monetare prej 50 milionë euro.
Po ashtu për të rritur sigurinë e brendshme, synohet të impelemtohet sistemi i kamerave në administrim të Policisë së Shtetit, me synimin që të arrihen qytetet e “zgjuara”, i cili planifikohet të kushtojë 60 milionë euro. Disa nga projektet i dedikohen investimeve në hekurudhën shqiptare.
Konkretisht bëhet fjalë për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës- Rrogozhinë, me një vlerë prej 118.3 milionë euro; ndërtimi i linjës hekurudhore Terminali i transportit publik ish stacioni i Trenit, 4 km, si zgjatim i linjës Durrës-Tiranë, me një vlerë prej 16 milionë eurosh; elektrifikimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe lidhja me aeroportin e Rinasit, me një vlerë prej 21 milionë eurosh; Elektrifikimi i linjës hekurudhore Vorë- Hani i Hotit me vlerë 59.9 milionë euro; Rehabilitimi i Hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, projekt që kap një vlerë prej 313 milionë euro; hekurudha Porto Romano- Sukth, me vlerë 29.5 milionë euro; ndërtimi i linjës hekurudhore Durrës- Prishtinë me vlerë 750 milionë euro, Rehabilitimi i hekurudhës Rrogozhinë-Pogradec / Përrenjas – Rrajcë, kufi me Maqedoninë e Veriut, projekt që arrin një vlerë prej 451 milionë euro; ndërtimi i linjës së re hekurudhore Pogradec- Korçë- Kufiri me Greqinë me vlerë 250 milionë euro.
Po ashtu një sërë projektesh prioritare janë në fushën e transportit rrugor, të energjisë, shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik, zhvillimi rajonal, mbrojtja nga përmbytjet, mjedisi, etj.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.