Cilat janë masat për “higjienën” kibernetike? – Forcat e Armatosura, plan për “kit mobile” për të hetuar sulmet
Diamila Leka/ SCAN
Jemi thuajse tre vite më pas nga data ku të dhënat tona sensitive apo personale u bënë publike. E tashmë kemi të drejtë të themi që asgjë nuk kemi më personale, por si jemi aktualisht? Në emisionin Ekonomia 3D, u diskutua higjiena kibernetike, por çfarë masash ka marrë shteti për sigurinë kibernetike?
“Ne jemi ndër vendet e para në Ballkanqë kemi të krijuar një Qendër Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të monitorimit e cila operon 24/7 dhe monitoron rrjetet e infrastrukturave kritike. Por, përveç kësaj, ne patjetër kemi krijuar dhe struktura të dedikuara për të ofruar mbrojtjen që ne e quajmë mbrojtje parandaluese dhe dhe mbrojtje reaguese ndaj incidenteve kibernetike”
Një tjetër, njësi ushtarake e sigurisë kibernetike është një strukturë e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura e cila është funksionale me mbështetjen e aleatit strategjik të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por cili është plani i Forcave të Armatosura për të identifikuar dhe hetuar sulmet kibernetike?
“Aktualisht ne kemi një plan të afërt, në bashkëpunim edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat do të investojnë në këtë njësi. Në vazhdën e investimeve të bëra, është parashikuar që pjesë e kësaj njësie të bëhet edhe një “kit mobile”, që është një pajisje e lëvizshme e cila do t’i vijë në ndihmë kësaj njësie, në çdo kohë dhe në çdo moment që të shkojë dhe të hetojë çdo incident kudo që ndodhet.”
Por si shihet në sy të ekspertëve, si përkthehen çështjet ligjore përsa i përket ligjit të sigurisë kibernetike?
“Është e lehtë të thuash që ligji duhet të ndryshojë, por në fakt në këtë ligj aktual që kemi ne mund të bëjmë diçka më shumë. Dhe ajo që duhet të bëjmë më shumë është zbatimi rigoroz i tij. Pra, në ligj kërkohet monitorim i vazhdueshëm dhe kjo duhet të ndodhi në realitet në fakt. Nëse kjo ndodh atëherë, pika e parë e planit është kryer me sukses. Një pikë tjetër e rëndësishme përsa i përket legjislacionit të sigurisë kibernetike është që të rrisi denimet, apo gjobat përsa i përket incidenteve të ndodhura të sigurisë kibernetike. Për shembull detyrimet e institucioneve private, ligji kërkon që incidentet e ndodhura në këto të adresohen në institucionet publike. Nëse kjo nuk ndodh, atëhere duhet të merren masa administrative.”
Sipas tëdhënave të fundit, Shqipëria është ngjitur me 22 pikë në Indeksin Global të Sigurisë Kibernetike, nga ku ka marrë pikë maksimale në masat ligjore, duke treguar një kuadër të mirë ligjor që mbështet sigurinë digjitale.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.