Citigroup i vë “drynin” Rusisë – Do të mbyllë operacionet e konsumatorëve dhe ato tregtare
Citigroup ka vendosur të mbyllë operacionet e saj bankare tregtare dhe lokale në Rusi, pasi dështoi të gjejë një blerës për bizneset, me shumicën e kërkuesve potencialë nën sanksione pas pushtimit të Ukrainës.
Banka amerikane njoftoi se vendimi u mor sepse prej më shumë se një viti nuk arriti shiste njësitë e saj, sepse sanksionet perëndimore kundër Rusisë e bënë të pamundur vazhdimin e operimit në vend. Huadhënësi shtoi se “vazhdon të ndjekë në mënyrë aktive shitjet e portofoleve të caktuara bankare ruse të konsumatorëve”.
Citi tha se ekspozimi i saj ndaj Rusisë kishte rënë në 8.4 miliardë dollar, nga 9.8 miliardë dollarë në fund të vitit të kaluar. Rreth 1 miliard dollarë lidhet me mbylljen e operacioneve bankare tregtare me pakicë dhe lokale.
Dalja do të prekë 2.300 punonjës dhe 15 degë lokale. Huadhënësi vlerëson se do të kushtojë 170 milionë dollarë gjatë 18 muajve të ardhshëm. Megjithatë, do të duhen dy vjet ose më shumë për të pakësuar plotësisht stokun e saj të depozitave, hipotekave, kartave të kreditit dhe kredive për bizneset e vogla.
Në deklaratën e bankës theksohet se nuk po mbyll veprimtarinë e saj të shërbimeve të investimit dhe transaksioneve në vend, por po redukton ekspozimin e saj dhe nuk po pranon klientë të rinj.
Citi fillimisht njoftoi synimin e saj për t’u larguar nga shitja me pakicë në Rusi në muajin prill 2021, si pjesë e tërheqjes globale të shefes ekzekutive, Xhejn Frejzër nga bankat konsumatore, duke përfshirë 14 vende në Azi, Europë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Ajo po përpiqet gjithashtu të gjejë një blerës për huadhënësin e saj në Meksikë.
Citi kishte qenë në negociata me kompani ruse në pronësi private, përfshirë Expobank dhe kompaninë e sigurimeve Reso-Garantia mbi fatin e bizneseve të saj konsumatore dhe tregtare, raportoi Financial Times në fillim të muajit të kaluar.
Rosbank, një huadhënës kryesor dhe ish-degë e Société Générale, kishte shprehur gjithashtu interes për të blerë operacionet lokale të Citi, por perspektiva e ndonjë marrëveshjeje u zbeh kur Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione ndaj pronarit të saj të ri, oligarkut Vladimir Potanin, më vonë në korrik.
Të gjitha bankat e mëdha me prani të konsiderueshme të mbetur në Rusi po përpiqen të shesin operacionet e tyre, por po përballen me një grup gjithnjë e më të kufizuar blerësish dhe humbje të mëdha potenciale për të shlyer investimet e tyre.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.