Çmime rekord në Kroaci për shkak të euros – Ultimatumi i qeverisë: Deri të premtem të kthehen siç ishin
Bëhen gjithnjë e më të vështira blerjet e përditshme për kroatët. Hyrja në fuqi e euros, në 1 janar 2023 ka shkaktuar një rritje cmimesh të konsiderueshme. Përballë ankesave të konsumatorëve, pronarët e dyqaneve pranojnë se ka pasur ndryshime dhe ata janë detyruar të përshtasin cmimet dhe se për situatën e krijuar përgjegjës janë qytetarët që ende nuk dinë të menaxhojnë euron.
Kroacia regjistroi një inflacion prej 13.5% në muajin nëntor në një kohë që në eurozonë niveli ishte 10%. Aktualisht qindra inspektorë shtetërore kontrollojnë dyqane dhe markete në të gjithë vendin në kërkim të abuzimeve, por në nëntë ditë janë vendosur vetëm dy gjoba.
Prodhimet ushqimore dhe disa prej shërbimeve kryesore janë ato që kanë pësuar rritje rekord cmimesh, të cilat konsiderohen të pajustifikueshme nga qeveria. Mediat kroate sulmojnë tregtarët, disa supermarkete dhe restorantet duke i akuzuar për përfitime nga ndryshimi i valutës.
Indinjimi dhe zemërimi është shprehur dhe në rrjetet sociale me qytetarët që denoncojnë rritje cmimesh për bukën dhe gjalpin me 30%.
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç akuzoi një pjesë të tregtarëve dhe sipërmarrësve se po përfitojnë nga tranzicioni valutor me anë të një sjelljeje të papërgjegjshme. Ai paralajmëroi për ndërhyrje të ashpra nëse deri të premten çmimet nuk do të kthehen në nivelin që ishin në 31 dhjetor, duke shtuar se qeveria ka mjete të forta, të cilat nuk do të hezitojë t’i përdorë. Një nga ndërhyrjet e paralajmëruara nga Plenkoviç është rritja e taksave, anulimi i subvencioneve për gazin dhe energjinë, si dhe ngrirja e çmimeve në nivelet e muajit dhjetor për qindra artikuj.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.