Çmimet e naftës regjistrojnë rënie të lehtë – Analistët e tregut mendojnë se inflacioni pritet të ndikojë në kërkesën për karburant
Çmimet e naftës ranë të martën, duke ulur disa fitime nga sesioni i mëparshëm, pasi në treg ekziston frika se rritjet më agresive të normave të interesit nga bankat qendrore mund të çonin në një ngadalësim të ekonomisë globale dhe zbutjen e kërkesës për karburant.
Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent për dërgesat e tetorit ranë 81 cent, në 104.28 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar e Teksasit Perëndimor arriti në 96,68 dollarë për fuçi, me rënie 33 cent.
Inflacioni po I afrohet nivelit dyshifror në shumë nga ekonomitë më të mëdha të botës, një nivel që nuk është parë në afërsisht një gjysmë shekulli, gjë që mund t’i shtyjë bankat qendrore në Shtetet e Bashkuara dhe Europë të përdorin rritje më agresive të normave të interesit.
Megjithatë, shpërthimi i trazirave të hënën në mbrëmje në Irak, prodhuesi i dytë më i madh i OPEC-ut, mbështeti çmimet. Sipas analistëve të tregut, si një eksportues i madh i naftës me një prodhim prej mbi 4 milionë fuçi në ditë, situata e brendshme në Irak nuk ka më pak ndikim në çmimet e naftës sesa Irani.
Ndërkohë, Arabia Saudite, prodhuesi kryesor në Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), javën e kaluar zgjeroi mundësinë e tkurrjes së prodhimit, që sipas burimeve mund të përkojë me një rritje të furnizimit nga Irani nëse arrin një marrëveshje bërthamore me Perëndimin.
OPEC+, i përbërë nga OPEC, Rusia dhe prodhuesit aleatë, do të takohen më 5 shtator.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.