Çmimet e naftës rriten me mbi 1 USD – Sulmi i Iranit ndaj Izraelit shton frikën për ndërprerjen e furnizimeve
Kristi Ceta/SCAN
Çmimet e naftës u rritën me mbi një dollar të mërkurën për shkak të shqetësimeve në rritje që lidhen me përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme. Ndryshimi ka ardhur pas goditjes më të madhe ushtarake të Iranit kundër Izraelit.
Kontratat e së ardhmes Brent u rritën me 1,08 dollarë, ose 1,47 për qind, në 74,64 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar e Teksasit Perëndimor (WTI) u rrit me 1,12 dollarë ose 1,6 për qind në 70,95 dollarë. Gjatë tregtimit të së martës, të dy standardet e naftës së papërpunuar u rritën me më shumë se 5%.
Tregjet e naftës po shkonin drejt një perspektive të dobësimit të ekonomisë globale që ul kërkesën për karburant, thanë analistët, por situata ndryshoi drejt frikës së ndërprerjeve të furnizimit me naftë në Lindjen e Mesme pasi Irani gjuajti raketa balistike ndaj Izraelit.
Teherani tha se çdo përgjigje izraelite ndaj sulmit, për të cilin Izraeli tha se përfshinte më shumë se 180 raketa balistike, do të përballej me “shkatërrim të madh”.
Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara caktoi një takim për Lindjen e Mesme për të mërkurën dhe Bashkimi Evropian bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Përfshirja e drejtpërdrejtë e Iranit, një anëtar i OPEC-ut, rrit mundësinë e ndërprerjeve të furnizimit me naftë, thanë analistët, duke shtuar se prodhimi i naftës në vend u rrit në nivelin më të lartë të gjashtë viteve prej 3.7 milionë fuçi në ditë në gusht.
“Një përshkallëzim i madh nga Irani rrezikon të sjellë SHBA-në në luftë. Irani përbën rreth 4% të prodhimit global të naftës, por nuk dihet nëse Arabia Saudite do të rrisë prodhimin nëse furnizimet iraniane ndërpriten,” u shpreh Capital Economics.
Një panel ministrash nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët, së bashku të quajtur OPEC +, do të takohen më vonë të mërkurën për të rishikuar tregun, pa pritur ndryshime të politikave. Nga dhjetori, OPEC+, i cili përfshin Rusinë, është vendosur të rrisë prodhimin me 180,000 fuçi në ditë në muaj.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.