“Dalin në dritë” qiratë e pa deklaruara të apartamenteve – Bizneset, afat deri më 20 tetor të dorëzojnë kontratat, ose dokumentin e pronësisë
Elisabeta Dosku/ SCAN
Apartamentet e dhëna me qira për biznes, por nuk janë deklaruar si të tilla, tashmë do të hyjnë në regjim tatimor.
Brenda datës 20 tetor, bizneset duhet të deklarojnë pranë administratës tatimore statusin e pronësisë apo kontratën e qirasë të ambientit ku ushtrojnë aktivitetin ekonomik.
Administrata tatimore u ka dërguar një letër bizneseve duke u rikujtuar këtë detyrim, pasi në të kundërt do të përballen me penalitete.
Depozitimi apo përditësimi i këtyre të dhënave, nga llogaria personale ne e-filing, duhet të plotësohet nga çdo tatimpagues, pra nga çdo NIPT, si për adresen kryesore ashtu edhe për ato sekondare. Tatimpaguesit duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës që e vërteton deklarimin siç është dokumenti i pronësisë, kontrata e qirarsë etj.
Sipas tatimeve, ky informacion shërben për përllogaritjen e saktë të Tatimit në Burim si dhe krijimin e mundësisë për parambushjen e Deklaratës së të ardhurave personale, për individët subjekt deklarimi.
Por nga ana tjetër është edhe një metodë e tërthortë për të “shënjestruar” ato apartamente që janë dhënë me qira për njësi biznesi por nuk janë deklaruar të tilla nga pronarët e tyre, me qëllim shmangien e tatimit mbi qiratë, i cili është në nivelin 15 %.
Duke qenë se tashmë bizneset do të jenë të detyruara të bëjnë këtë deklarim dhe do të duhet të kenë kontrata të rregullta me pronarët e këtyre njësive, automatikisht ato do të përfshihen në sistemin tatimor.
Qeveria parashikon që të ardhurat nga tatimi mbi qiratë të kenë një rritje progresive nga viti në vit, ku nga 487 milionë lekë të projektuara në vitin 2024, të kapërcejnë në 1 miliardë lekë në 2025, për të arritur në 1.5 miliardë lekë në 2027-ën.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.