Danezët, të zemëruar pas shfuqizimit të festave publike – Qeveria daneze synon financimin e buxhetit të mbrojtjes
Plani i qeverisë daneze për të shfuqizuar një festë publike për të ndihmuar në financimin e buxhetit të mbrojtjes, nxitur dhe nga lufta aktuale në Ukrainë, po vë në rrezik modelin e mirëqenies të Danimarkës, sipas paralajmërimeve të konfederatës më të madhe të sindikatave të vendit. Kreu i saj, Lizette Risgaard, u shpreh se ky plan është një kërcënim i madh për modelin danez të jetesës. Konfederata aktualisht numëron 1.3 milionë anëtarë në një vend me 5.9 milionë banorë. Ajo theksoi se politikanët duhet të qëndrojnë jashtë çështjeve të tregut të punës. Nëse ata e kalojnë këtë, do të imponojnë vullnetin e tyre dhe do të shkelin marrëveshjet ekzistuese, sipas saj.
Koalicioni qeveritar i përbërë nga e majta dhe e djathta, në pushtet që nga dhjetori dhe i drejtuar nga kryeministrja socialdemokrate, Mette Frederiksen, planifikon të anulojë festën fetare të njohur si Dita e Lutjes së Madhe, e shënuar që nga shekulli i 17-të. Fillimisht e prezantuar si ditë lutjeje, agjërimi dhe pendimi, ajo bie të premten e katërt pas Pashkëve dhe është një datë e zakonshme për konfirmime.
Por qeveria dëshiron të heqë festën publike dhe të përdorë paratë për të rritur buxhetin e mbrojtjes në objektivin e NATO-s prej 2% të PBB-së deri në vitin 2030, në vend të 2033-shit siç ishte planifikuar më parë. Qeveria thotë se kalendari i përshpejtuar është i nevojshëm për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Lëvizja pritet të sigurojë një shtesë prej 3,3 milion paund në arkën e shtetit.
Pushimi i anuluar do të sjellë 7.4 orë punë shtesë për punëtor, sipas qeverisë. Danezët do të duhet të punojnë një ditë shtesë, të cilën do ta paguajë punëdhënësi. Por festa publike dhe pagat që u paguhen atyre që punojnë atë ditë dhe atyre që marrin ditën e pushimit, tashmë janë të përfshira në marrëveshjet kolektive.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.